Filloi ndërtimi i repartit radiologjik të Shtëpisë së Shëndetit “Dr.Branko Zogoviq”

Plavë – Ministri shëndetësisë në Qeverinë e Malit të Zi, Dr. Vojisllav Shimun, drejtori i Shtëpisë së shëndetit “Dr. Branko Zogoviq” në Plavë, Dr. Armen Pejçinoviq, dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, të mërkurën, më 28 gusht 2024, kanë vënë gurthemelin dhe kanë publikuar fillimin e ndërtimit të Qendrës për rengen dhe diagnostikë ultra zëri në kuadër të kësaj Shtëpie të shëndetit, vlera e të cilës është mbi gjysmë milion euro.
Siç theksojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, ministri Dr. Shimun ka konfirmuar se duke i falënderuar këtij investimi, të punësuarit në këtë institucion të cilët vite me radhë punojnë në pajisje dhe aparate të vjetruara, do të fitojnë kushte bashkëkohore për punë, kurse pacientët diagnostikë bashkëkohore dhe me kohë, andaj edhe mbrojtjen shëndetësore cilësore dhe të përshtatshme.
Në fjalën e rastit, ministri Shimun ka theksuar se të punësuarit në repartin radiologjik të kësaj shtëpie të shëndetit me angazhim të radiologut të Qendrës klinike spitalore të Beranit, çdo ditë do të kryejnë rreth 55 shërbime diagnostike dhe ka bërë të ditur fuqizimin e kapaciteteve të kuadrit.
“Dy mjekë nga Shtëpia e shëndetit të Plavës momentalisht janë në specializim nga lëmi i radiologjisë dhe pas kthimit të tyre në vitet 2025 dhe 2027, Shtëpia e shëndetit do të sigurojë kuadrin e vet për këtë segment të mbrojtjes shëndetësore. Përveç kësaj, Ministria e shëndetësisë, përmes planit vjetor të specializimit për vitin 2024, ka lejuar katër specializime për Shtëpinë e shëndetit të Plavës dhe atë dy nga medicina familjare dhe nga një nga medicina interne dha ajo e punës”, ka bërë me dije ministri Shimun.
Drejtori i Shtëpisë së shëndetit në Plavë, dr. Armen Pejçinoviq, në elaborimin e vet të rastit ka theksuar rëndësinë e qendrës së re radiologjike i cili siç ka njoftuar “dukshëm do të përmirësojë cilësinë (kualitetin) e punës dhe do ta ngrisë në nivel më të lartë, duke pasur parasysh se RTG kabineti dhe RTG aparati i cili tani është në funksion është vjetruar, me prishje të shpeshta dhe se është mjaftë vështirë të vihet te sigurimi i RTG filmave për punën e tij”
“Ajo që do të jetë në fokusin tonë në të ardhmen, është blerja (sigurimi) i aparatit për biokimi, aparatit për troponinë dhe D-dimer, me çka do të lehtësojmë diagnozën e gjendjeve të rënda akute të zemrës, blerja e aparatit për kontrollin e fundit të syrit, blerja e aparatit për status acidobazik, me çka do të lehtësojmë punën stacionarit për sëmundje interne dhe qendrës për hemodializë, si dhe zgjidhjen e hyrjes në Stacionin shëndetësor në Murinë dhe ndërtimin e ashensorit për personat me invaliditet”, ka bërë me dije drejtori Pejçinoviq.
Në fjalën e vet përshëndetëse të rastit, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, me admirim ka theksuar se avancimi i përshtatshmërisë së shërbimeve shëndetësore është qenësore për përmirësimin e cilësisë së jetës në bashkësinë lokale.
“Hyrja e lehtë në preventivë dhe mjekim, zvogëlon pabarazitë shëndetësore, forcon besimin në sistem dhe bashkësinë tonë e bën më të qëndrueshme në nxitje. Shëndeti është themel i çdo gjëje, dhe për këtë ndërtimi i këtij reparti radiologjik ka rëndësi të veçantë”, është shprehur kryetari Canoviq dhe në fund ka shprehur falënderim të posaçëm stafit punëdrejtues të Shtëpisë së shëndetit, Ministrisë së shëndetësisë, Fondit shëndetësor, si dhe të gjithë individëve të cilët me punën e vet dhe angazhimin e pa rezervë, kanë kontribuar të arrihet deri te ky moment vërtetë i rëndësishëm – vënia e gurthemelit. U gëzohem sukseseve të ardhshme të cilat me forca të përbashkëta do t’i realizojmë, duke ndërtuar Plavën në të cilën kujdesi për qytetarë dhe nevojat e tyre do të jetë gjithmonë në vend të parë.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat