Podgoricë – Kompania “Royal” nga Kosova dhe Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare kanë nënshkruar të premten në Vilën “Gorica” në Podgoricë aneksin IV të kontratës për ndërtimin e hotelit të ri në lokalitetin e ish-hotelit “Jadran”, me ç’gjë janë krijuar parakushtet për fillimin e këtij investimi me vlerë mbi 40 milionë euro.
Aneksi i kontratës është firmosur nga drejtori i NP “Të Mirat Detare”, Mlladen Mikijel, dhe pronari i kompanisë “Royal”, Arbër Kryeziu.
Pronari i kompanisë “Royal” nga Prishtina, Arbër Kryeziu, ka thënë se një ndër arsyet për këtë investim janë edhe lidhjet nostalgjike me Ulqinin.
“Ne e kemi atë nostaligjinë e rinisë, lidhjet me Ulqinin e Malin e Zi. Ideja ishte që të vijmë me investime në Ulqin, që të bëjmë më të mirën e mundshme për Ulqinin dhe Malin e Zi”, ka thënë ai.
Kryeziu ka theksuar se punimet dhe investimi në hotelin luksoz do të zgjasin rreth katër vite.
“Do të jetë një ndër brendet më të mëdha dhe më të mira ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të aneksit të kontratës kanë qenë edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Abazoviq ka thënë se lokaliteti më i bukur në komunën e Ulqinit, ku dikur ka qenë hoteli “Jadran”, prej vitesh ka qenë i bllokuar për shkak të pengesave të shumta administrative.
“Kemi punuar ditë e natë për ta ndryshuar këtë situatë dhe jam krenar që, më së shumti falë përpjekjeve të Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit dhe të Të Mirave Detare kemi arritur t’i tejkalojmë të gjitha ato probleme dhe sot të nënshkruajmë këtë kontratë”, ka theksuar kryeministri i Malit të Zi pas nënshkrimit të aneksit të kontratës.
Ai ka thënë se hoteli do të ketë pesë yje, do të jetë një ndër hotelet më të mirë dhe do të hapen vende të reja pune.
Sipas kryeministrit të Malit të Zi, kushdo që dëshiron të bëjë biznes të ndershëm dhe t’i respektojë detyrimet kontraktuale është më se i mirëpritur të investojë në Malin e Zi.
“Politika ku nuk respektoheshin kontratat, zaptoheshin mjediset më të mira dhe pritej të rishiteshin, është prapa nesh”, ka konkluduar Abazoviq.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, e ka cilësuar këtë si një ditë të madhe për qytetin e Ulqinit.
“Më në fund, mendoj se Komuna e Ulqinit do të fitojë atë që meriton, e ky është një hotel me pesë yje, një hotel i cili do të shënojë simbolin e turizmit luksoz, jo vetëm në Ulqin, por jam i sigurt se do të jetë simbol edhe i turizmit malazez”, është shprehur ai.
Bajraktari ka thënë se krahas ish-hoteleve “Jadran” dhe “Galeb”, për të cilët janë nënshkruar kontratat, gjatë këtij viti në Ulqin pritet të fillojë ndërtimi i të paktën dy hoteleve të tjerë.
“Ky është vërtet një cikël i investimeve historike për Komunën e Ulqinit dhe për zhvillimin e turizmit në Ulqin dhe në Mal të Zi. Unë jam i sigurt se ky është vetëm fillimi i ri dhe se në periudhën e ardhshme do t’i prezantojmë edhe investimet tjera që kanë të bëjnë me komunën e Ulqinit”, ka deklaruar ai.
Në ceremoninë e nënshkrimit të aneksit të kontratës kanë marrë pjesë edhe ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq – Gjuroviq, ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq, kryetari i Këshillit Drejtues të NP “Të Mirat Detare”, Bllazho Ragjenoviq, sekretari i shtetit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Armend Milla, dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Financave, Agron Ibrahimi.
Hoteli i ri do të menaxhohet nga një brend i njohur në fushën e turizmit, emri i të cilit nuk është bërë i njohur. Më herët, në media është thënë se hoteli do të menaxhohet nga kompania e njohur “Hilton”.
Hoteli “Jadran” është prishur nga tërmeti i vitit 1979. Zyrtarët shtetërorë dhe vendorë kanë premtuar shpesh se në vend të tij, në lokalitetin tërheqës në kepin e Sukës, do të ndërtohet një kompeks hotelier modern. Qeveritë e mëparshme kanë nënshkruar madje disa herë kontrata me investitorë potencialë, por ato kanë dështuar dhe nuk janë zbatuar asnjëherë, ndërsa lokaliteti është përdorur viteve të fundit për parking.
(Kohapress)