Ulqin – Kryetari i deritashëm i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, është rizgjedhur në krye të kësaj partie edhe për një mandat katërvjeçar në Kuvendin e Tretë Zgjedhor që është mbajtur të shtunën në Ulqin.
Në fjalën përshëndetëse, Gjeka ka thënë se rrugëtimi ynë i deritashëm nuk ka qenë i lehtë, por plot batica e zbatica dhe sfida të ndryshme, të cilat falë dijes, përvojës dhe pjekurisë politike kanë arritur që t’i përballojnë me sukses.
Ai ka thënë se Partia Demokratike ka qenë pjesë e zhvillimeve pozitive në Mal të Zi, ndërsa në planin e jashtëm ka përkrahur politikën e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim me të gjitha ato forca politike që kultivojnë vlerat evropiane dhe perëndimore, pa harruar vlerat e trashëgimisë sonë autoktone. Për ne nuk ka asnjë dyshim se me Shqipërinë dhe Kosovën si dy shtete shqiptare dhe fqinje, Mali i Zi duhet të bashkëpunojë më ngushtë. Ndërkaq diaspora jonë duhet të jetë në qendër të vëmendjes si një potencial i madh që duhet ta shfrytëzojmë”, është shprehur ai.
Gjeka ka thënë se Partia Demokratike është dëshmuar tashmë si parti e kompromiseve politike për të mirën e vendit, ashtu siç nuk ka bërë kompromis për ato gjëra që për ta janë të shenjta.
“PD është dëshmuar si një partner i besueshëm dhe ka krijuar një përvojë të re, duke bashkëpunuar për të mirën e qytetarëve në nivel qendror dhe lokal”, është shprehur ai.
Kryetari i PD-së ka thënë se kjo parti e ka kuptuar se zgjedhjet e fundit parlamentare kanë krijuar një realitet të ri politik dhe se nga perspektiva e sotme mund të thotë se “Partia Demokratike u ka paraprirë ndryshimeve politike që kanë ndodhur në Malin e Zi”.
Sa i përket koalicionit në Komunën e Ulqinit, ai ka thënë se ky koalicion të cilin disa e kanë cilësuar padrejtësisht si jonatyror, është duke dhënë frytet e tij të para dhe se është i bindur që të në ardhmen do të shënojë rezultate dhe suksese edhe më të mëdha.
Gjeka ka thënë se duke marrë përgjegjësinë për të bashkëqeverisur në nivel qendror, ku shqiptarët për të parën herë janë të përfaqësuar denjësisht dhe në përputhje me atë që u takon, si dhe në nivel vendor në Komunën e Ulqinit, në një situatë të vështirë dhe jo fort të lakmueshme politike, shoqërore dhe ekonomike, kanë dëshmuar se për këtë parti politike “nuk ka tabu kur bëhet fjalë për të mirën e qytetit dhe qytetarëve të Ulqinit, si dhe për të mirën e shqiptarëve në Malin e Zi, por edhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”.
Në Kuvend janë zgjedhur po ashtu edhe organet tjera drejtuese të PD-së. Zëvendëskryetar i PD-së është rizgjedhur Gzim Hajdinaga, ndërsa nënkryetarë Dr. Agron Ibrahimi, Fitim Draga dhe Mark Gurvokaj. Kuvendi ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Qendror të PD-së, i cili përbëhet nga 60 anëtarë. Kuvendi ka miratuar statutin e partisë, raportin e punës dhe atë financiar si dhe programin e punës.
Në pjesën e hapjes së Kuvendit, të pranishëm si mysafirë kanë qenë edhe kryetari i Lëvizjes Qytetare “URA”, Dr. Dritan Abazoviq, njëherazi kryeministër në detyrë i Malit të Zi, kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika etj.
(Kohapress)
