Tuz- Në seancën e dytë të përbërjes së re të Kuvendit të Komunës së Tuzit, e cila u mbajt të mërkurën (29 mars 2023), u emërua për kryetar të Komunës në mandatin katërvjeçar (2023-2027),kryetari i deritanishëm i Komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj mori plot njëzetë vota të Forumit Shqiptar: Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit Nacional Shqiptar, të Shtjefën Camajt nga Demokratët dhe të Adnan Pepiqit nga Partia Boshnjake. Opozita, përkatësisht koalicioni “Rrugës së drejtë” ishte i përmbajtur.
Me të zgjedhur në krye të Komunës së Tuzit dhe pas betimit solemn, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, duke bërë një prezantim retrospektiv të veprimtarisë së Komunës së Tuzit gjatë mandatit të kaluar, dhe duke falënderuar votuesit që i dhanë mundësinë të riudhëheqë administratën lokale, u zotua se edhe në periudhën e ardhshme do të japë kontributin e tij të parezervë në zhvillimin dhe progresin e vendit në çdo fushë.
“Planifikojmë që, në bashkëpunim me qytetarët, administratën dhe ekipin që do të formojmë, të punojmë me kapacitet të plotë për zhvillimin dhe prosperitetin e gjithanshëm të vendit tonë. Mandati 2023-2027, le të jetë periudhë e prospetitetit dhe i projekteve të mëdha të realizuara të nivelit më të lartë zhvillimor, dhe ketë mund të bëjmë vetëm së bashku”, u shpreh Gjeloshaj.
Ai ndër të tjera shprehu falënderim ndaj krerëve më të lartë shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës për, siç theksoi, ndihmën dhe mbështetjen profesionale në punën e Komunës së Tuzit.
Kreu i Komunës së Tuzit falënderoi tejmase diasporën, për të gjithë kontributin e dhënë për vendlindjen e tyre në çdo aspekt dhe në çdo sferë të jetës.
“Energjia, atdhedashuria dhe pasioni i tyre na japin një shtysë për të punuar edhe më shumë, edhe më mirë, sepse Malësia ka mbështetjen e djemve dhe vajzave të saj nga diaspora”, u shpreh Gjeloshaj.
Ndërkaq në këtë seancë u zgjodh edhe Këshilli për zgjedhje dhe emërime i përbërë nga gjithsej pesë anëtarë (tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita).
Kjo është hera e dytë që Nik Gjeloshaj zgjedhet në krye të Komunës së Tuzit.
t. u.
