Ulqin – Disa qindra vetë kanë marrë pjesë në tubimin paqësor për Palestinën, që është zhvilluar të shtunën në Ulqin.
Me pankarta në duar, në të cilat shkruante në gjuhën angleze “Ndal gjenocidit”, “Lutu për Palestinën”, “Mali i Zi është me Palestinën”, “Ndal vrasjes së fëmijëve tanë” etj. dhe duke brohoritur “Palestina e lirë” pjesëmarrësit kanë shëtitur nga rrethrrotullimi te Xhamia e Kryepazarit deri te Xhamia e Detarëve në Ranë.
Sipas disa prej pjesëmarrësve në tubimin paqësor, qëllimi i tij është thirrja për ndalimin e luftës ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, sepse janë duke u vrarë fëmijë dhe njerëz të tjerë të pafajshëm. Ata kanë thënë se edhe pse janë të vetëdijshëm se nuk kanë fuqi ta ndryshojnë situatën, me këtë protestë duan të tregojnë se janë në anën e duhur të historisë.
Në mesin e pjesëmarrësve në tubimin paqësor kanë qenë edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari dhe zyrtarë të tjerë komunalë, krerët e Bashkësisë Islame të Ulqinit etj.
Në këtë mënyrë, Ulqini iu është bashkëngjitur qyteteve të tjera në Malin e Zi dhe në botë ku janë duke u zhvilluar protesta në shenjë solidarizimi me Palestinën dhe kundër luftës izraelito-palestineze.
i. k.