Edhe dhjetë ditë afat për regjistruesit

Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka shtyrë të premten afatin për regjistrimin e popullsisë edhe për dhjetë ditë, përkatësisht deri më 28 dhjetor 2023.
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi ka filluar më 3 dhjetor, kur rreth 3000 regjistrues kanë nisur procesin e regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive.
Ndihmësdrejtoresha e Drejtorisë për Statistika të Malit të Zi (MONSTAT), Snezhana Remikoviq, ka deklaruar se deri më 17 dhjetor 2023 janë regjistruar 564 000 banorë si dhe 308 000 banesa në 181 000 amvisëri. Megjithëse nuk janë të dhëna përfundimtare, këto shifra tregojnë se Mali i Zi ka pësuar rënie të ndjeshme të numrit të banorëve. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Mal të Zi jetonin 620 029 banorë.
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi është dashur të zhvillohet më 1-15 nëntor 2023, por për shkak të paralajmërimit të opozitës se do ta bojkotojë atë për arsye të mosplotësimit të kushteve për mbajtjen e regjistrimit, afati i fillimit është shtyrë nga Qeveria aktuale e Malit të Zi për 30 nëntor 2023, për të filluar përfundimisht më 3 dhjetor 2023.
Rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë pritet të bëhen të njohura 30 ditë pas përfundimit të procesit, kurse ato përfundimtare brenda gjashtë muajsh.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat