E gjithë bota zbukurohet me ndriçim dhe shkëlqim

Prandaj, duke u ndodhur në prag të festave të fund vitit, uroj që gjithsecili nga ju, ta gjejë kënaqësinë, ta ndjejë plotësisht atmosferën e festave të fundvitit, duke i pritur ato në paqe e harmoni të plotë, me shëndet e gëzim, me shpresën që, viti i ardhshëm do jetë më frytdhënës, dhe një vit i paqes në shumë vende të botës. Duke shpresuar, lutur e besuar se do të ndalen luftërat të cilat po marrin mijëra jetë njerëzish, edhe në ditët kur shumica e botës kremton festat e fundvitit

Toni Ujkaj

Festat e fundvitit në mbarë botën ngjallin ndjenjë gëzimi, shprese, pozitivizmi, e emocione të veçanta të cilat reflektohen te gjithsecili.
Festat janë momente harmonie e entuziazmi të cilat bëjnë që të ringjallet një shpresë më e fuqishme për të nesërmen tonë, edhe pse ndoshta nganjëherë shumëçka na preokupon dhe na bën që të ndjehemi të plogësht, ose me më pak energji.
Me ardhjen e dhjetorit, shumë godina institucionesh, sheshesh e qytetesh zbukurohen dhe ndriçohen në forma nga më të ndryshmet, që duken më të bukura së asnjëherë, e që rrezatojnë shkëlqim e dritë, dhe që japin një imazh unik.
Muaji i fundit i çdo viti, vë në punë dikastere e institucione në mbarë botën edhe në aspektin e shfaqjes së filantropisë, duke treguar një kujdes pak më të madh ndaj njerëzve në nevojë, atyre që janë në vështirësi të mbijetojnë, të sëmurëve, të pastrehëve etj., të cilëve si rëndom u jepet një ndihmë pikërisht gjatë periudhës së festave.
Festat e fundvitit, si Krishtlindja dhe Viti i Ri, karakterizohen edhe me një periudhë blerjesh të ndryshme ku kemi një “pushtim” të dyqaneve të ndryshme, ku mijëra blerës joshen nga zbritjet që dominojnë për festa.
Një traditë tjetër e festave të fundvitit është edhe zbukurimi dhe ndriçimi i pemës së Krishtlindjes, e cila është edhe simboli kryesor i festave të fundvitit, ku përveç vendosjes së saj në ambiente të brendshme të pothuajse çdo familjeje, pema e Krishtlindjes zbukuron sheshet e shumë qyteteve në të gjithë botën.
Festat e fundvitit sjellin edhe argëtim e zbavitje për qytetarët anekënd botës, ku qeveri e shoqata të ndryshme joqeveritare, angazhohen për organizimin e koncerteve e festivaleve, ekspozitave e mbrëmjeve letrare, argëtimit nëpër sheshe, e shumë aktiviteteve të tjera që shtojnë dukshëm gjallërinë dhe atmosferën festive.
Për festat e fundvitit, një kujdes dhe vëmendje u kushtohet edhe fëmijëve, duke u blerë dhurata nga prindërit, mësuesit e të afërmit. Për ta, organizohen edhe aktivitete zbavitëse, atraktive e edukative, me qëllim që t’i shijojnë sa më shumë festat e fundvitit.
Shumë njerëz, varësisht nga gjendja financiare, zgjedhin që gjatë festave të fundvitit të vizitojnë qytete të ndryshme të Ballkanit, Evropës, SHBA-së apo gjetiu dhe kështu shijojnë dhe kënaqen disa ditë në vende të cilat ndoshta deri atëherë nuk i kanë vizituar.
Megjithatë, festat bëhen të ngrohta edhe në gjirin familjar, ku bashkërisht, në një atmosferë gëzimi, harmonie e lumturie, ato janë më të bukura, më të mirëseardhura dhe shumë domethënëse.
Prandaj, duke u ndodhur në prag të festave të fundvitit, uroj që gjithsecili nga Ju, ta gjejë kënaqësinë, ta ndjejë plotësisht atmosferën e festave të fundvitit, duke i pritur ato në paqe e harmoni të plotë, me shëndet e gëzim, me shpresën që, viti i ardhshëm do jetë më frytdhënës, dhe një vit i paqes në shumë vende të botës. Duke shpresuar, lutur e besuar se do të ndalen luftërat të cilat po marrin mijëra jetë njerëzish, edhe në ditët kur shumica e botës kremton festat e fundvitit.

Të fundit

më të lexuarat