Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani – Sadriu, qëndroi gjatë javës së kaluar në vizitë dyditore (7-8 shkurt 2023) në Malin e Zi me ftesë të Presidentit Millo Gjukanoviq.
Pas takimit të tyre dy presidentët kanë deklaruar se e ardhmja e Malit të Zi dhe Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe se së bashku do të punojnë për të realizuar këtë synim të qartë.
Presidenti Millo Gjukanoviq ka deklaruar se Mali i Zi është i njohur si shtet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit me fqinjët dhe bashkëpunimit rajonal.

“Ne e konsiderojmë këtë si një nga shtyllat më të rëndësishme të politikës sonë të përgjithshme të jashtme. Ajo që është konstante në marrëdhëniet tona është përkushtimi i plotë ndaj vlerave evropiane. Besimi ynë është se deficiti themelor i këtij rajoni evropian, që është paqëndrueshmëria, mund të eliminohet vetëm përmes integrimit evropian dhe euroatlantik. Nga kjo buron vullneti ynë për të bashkëpunuar, për këto çështje, me të gjithë fqinjët dhe të gjitha vendet e rajonit, sepse besojmë se vetëm kështu mund të forcojmë stabilitetin dhe të hapim perspektivën e prosperitetit ekonomik dhe demokratik”, ka thënë ai.
Presidentja e Kosovës ka bërë të ditur se me Presidentin Gjukanoviq kanë diskutuar për rëndësinë e koordinimit të përbashkët për ta forcuar partneritetin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe fuqizimin e përpjekjeve kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajonin tonë.
“Raportet në mes të vendeve tona janë të ndërtuara mbi frymën e respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të dyanshëm për të ardhmen tonë euroatlantike”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se të dy vendet po kalojnë nëpër sfida.

“Qytetarët tanë kanë vendosur të shikojnë përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur, sepse është në interesin tonë si shtete të pavarura, sovrane, të vazhdojmë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në strukturat euroatlantike”, ka deklaruar ajo.
Dy presidentët kanë marrë pjesë në panelin e organizuar nga Lëvizja Evropiane në Malin e Zi,
në bashkëpunim me Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, Zyrën e Presidentit të Malit të Zi dhe Ambasadën e Kosovës në Mal të Zi, ku kanë diskutuar mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në temën “Sfidat për paqen dhe stabilitetin nën ndikimin e krizës rajonale dhe globale”.
Për nder të Presidentes Osmani, Presidenti i Malit të Zi ka shtruar darkë solemne, ku kanë marrë pjesë edhe disa prej udhëheqësve të partive shqiptare.
Gjatë ditës së parë të vizitës së saj në Malin e Zi, Presidentja e Kosovës është takuar edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq.
Ajo ka treguar se si dy shtete të orientuara kah e ardhmja euroatlantike, me kryeministrin Abazoviq kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në drejtim të jetësimit të këtij synimi të përbashkët.
“Dy vendet tona i përafrojnë edhe më shumë komuniteti shqiptar në Mal të Zi, si dhe ai malazez në Kosovë. Andaj, potencuam rëndësinë e madhe të hapjes se kapitujve të rinj të bashkëpunimit në tregti, arsim, turizëm e fusha të tjera në dobi të qytetarëve në të dy shtetet”, ka deklaruar Presidentja e Kosovës.
Ditën e dytë të vizitës së saj Presidentja Osmani ka zhvilluar takime në komunat me shumicë shqiptare të Tuzit dhe Ulqinit. Në Tuz ajo është takuar fillimisht me krerët e kësaj komune si dhe ka vizituar fabrikën për përpunimin e patates, pronari i së cilës është nga Kosova.
Ndërsa në Ulqin ajo është pritur fillimisht nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, dhe bashkëpunëtorët e tij. Presidentja Osmani dhe kryetari i Komunës së Ulqinit kanë vendosur lule në pllakën përkujtimore të ngritur në shenjë falënderimi për qytetarët e Ulqinit për mikpritjen dhe strehimin e të përndjekurve nga Kosova gjatë viteve 1998-1999.
Presidentja e Republikës së Kosovës është takuar në Ulqin edhe me përfaqësues të forcave politike shqiptare në Malin e Zi.
Ajo e ka përfunduar vizitën e saj dyditore në Malin e Zi me një takim me intelektualë shqiptarë në Malin e Zi, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe miq të Kosovës.
Kjo ishte vizita e parë zyrtare e një presidenti të Kosovës në Malin e Zi pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe vizitë kthyese pas vizitës që Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka zhvilluar në Kosovë në maj të vitit të kaluar.
i. k.
