Dy parti shqiptare mbështesin Gjukanoviqin, partitë tjera akoma nuk janë deklaruar

Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 15 prill do të garojnë shtatë kandidatë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri të hënën mbrëma, kur ka qenë afati përfundimtar për dorëzimin e nënshkrimeve, ka vërtetuar kadidaturat për President të Malit të Zi të kryetarit të Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, Hazbija Kalaç, kandidatit të pavarur Vasilije Millaçiq, kryetarit të partisë Mali i Zi i Drejtë, Marko Millaçiq, kandidates së Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq, e cila ka mbështetjen edhe të partisë DEMOS, kryetarit të Koalicionit Serb, Dobrillo Dedeiq, kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, dhe kandidatit Mlladen Bojaniq, i cili mbështetet nga pjesa më e madhe e partive të opozitës, përfshirë Frontin Demokratik, Demokratët e Malit të Zi, Partinë Popullore Socialiste dhe Lëvizjen Qytetare URA.
Më herët, kandidaturat e tyre i kanë tërhequr kandidati i pavarur prof. dr. Gjorgjije Blazhiq dhe kryetari i Malit të Zi të Bashkuar, Goran Danilloviq, të cilët kanë thënë se do të mbështesin kandidatin e opozitës Mlladen Bojaniq, kurse kandidati i pavarur, shkencëtari Dragan Hajdukoviq, nuk ka arritur të mbledhë numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për dorëzimin e kandidaturës për president të Malit të Zi.
Siç shihet, edhe në këto zgjedhje presidenciale nuk do të ketë asnjë kandidat shqiptar.
Dy partitë shqiptare, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Demokratike, kanë deklaruar se në zgjedhjet presidenciale do të mbështesin kandidatin e PDS-së, Millo Gjukanoviq.
Në deklaratën për shtyp të UDSH-së thuhet se Këshilli Qendror i kësaj partie vendosi të mbështesë Gjukanoviqin për arsye se ai është garanci e stabilitetit dhe e përparimit të Malit të Zi.
“UDSH dhe PDS ndërtojnë partneritetin e vet prej vitit 1997 dhe ky vendim i yni është vazhdim i natyrshëm i bashkëpunimit tonë të deritashëm. Po ashtu, Malin e Zi në periudhën e ardhshme e presin sfida të shumta në rrugën e arritjes së standardeve evropiane dhe perëndimore. Që të arrihet kjo, atij i nevojitet stabilitet dhe ecje përpara, e garancia më e mirë e stabilitetit dhe përparimit të Malit të Zi është pikërisht Gjukanoviqi”, thekson deklarata për shtyp.
Edhe Partia Demokratike mbështetjen e kandidaturës së Gjukanoviqit për president e ka arsyetuar me pothuajse të njëjtin argumentim.
“Gjukanoviqi është partneri ynë i vjetër i koalicionit. Jemi të bindur se ai personalisht është garanci e integrimeve euroatlantike, i marrëdhënieve shumë të mira me vendet në rajon dhe i demokracisë multietnike në Mal të Zi”, kanë deklaruar nga kjo parti.
Ndërkohë, dy partitë tjera parlamentare shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeverisës së nivel shtetëror, Forca e Re Demokratike dhe Alternativa Shqiptare, nuk janë deklaruar akoma publikisht nëse do të mbështesin ndonjërin prej kandidatëve në zgjedhjet presidenciale, ashtu si dhe partitë tjera joparlamentare shqiptare. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat