Podgoricë – Ambasada e Republikës së Kosovës në Mal të Zi kremtoi të premten 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një pritje të organizuar në hotelin “Centre Ville” në Podgoricë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në Mal të Zi, përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Malit të Zi, partive politike shqiptare, pushtetit vendor, gazetarë etj.
Në fjalën e tij, ambasadori i Republikës së Kosovës, Skender Durmishi, ka folur për të arriturat e këtij shteti gjatë këtyre viteve.
Ai ka thënë se për nëntë vite Kosova ka shënuar progres, si në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm.
“Sot kemi 113 shtete që e kanë njohur shtetin e Kosovës, kemi paralajmërime për njohje të reja. Kjo do të thotë se po shtohet numri i vendeve të cilat e kanë të qartë se Republika e Kosovës po ndërton shoqëri multietnike, me standarde të avancuara demokratike, me të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet, me ekonomi të tregut të lirë, me respekt për të gjithë fqinjët e saj dhe e përcaktuar për të qenë faktor aktiv i stabilitetit rajonal”, ka theksuar Durmishi.
Ambasadori i Kosovës ka deklaruar se ky shtet ka shënuar suksese edhe në fusha të tjera, si sporti, ku Kosova ka arritur të fitojë medalje olimpike, është anëtarësuar në UEFA dhe FIFA, pastaj në fushën e kulturës ku nga Kosova kanë dalë vajza e djem të denjë për hite botërore, janë prodhuar filma që janë nominuar për çmimet OSCAR, BAFTA e të tjerë tituj prestigjozë.
Durmishi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Mali i Zi për aktin e njohjes së pavarësisë, por edhe për përkrahjen në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ai ka lavdëruar bashkëpunimin e deritashëm me Malin e Zi, duke thënë se Kosova dhe Mali i Zi janë bërë model i bashkëpunimit të mirë rajonal, ndërkohë që ka shprehur besimin se në të ardhmen ky bashkëpunim do të rritet ngaqë të dy vendet janë përcaktuar për vlerat euroatlantike.
“Tashmë kemi krijuar bazë solide të bashkëpunimit, por edhe më shumë do të kemi në të ardhmen, sipas planit të prioriteteve dhe potencialeve në fushat e ndryshme dhe në interes reciprok, ku shquhet bashkëpunimi ekonomik, infrastruktura, kultura e sporti, turizmi dhe koordinimi për bashkëpunim në arenën ndërkombëtare”, ka thënë më tej ambasadori Durmishi.
Sipas tij, merita të veçanta dhe rol konstruktiv në raportet e mira ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës ka edhe faktori shqiptar në Mal të Zi.
“Kjo për rolin e shkëlqyer të urës ndërlidhëse ndërmjet dy vendeve, për mënyrën e emancipuar të kërkesave tuaja për realizimin e të drejtave kushtetuese për arsim, simboleve kombëtare, çështjeve administrative e urbane, por duke qenë njëkohësisht të përkushtuar ndaj shtetit tuaj, prosperitetit dhe stabilitetit të Malit të Zi”, është shprehur ambasadori i Republikës së Kosovës.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, ndërsa Mali i Zi ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e saj. i.k.