Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Dr. Dritan Abazoviq, është mandatuar të enjten nga Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi.
“Përfaqësuesit e Lëvizjes URA dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi. I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur të formohet Qeveria, me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që Parlamenti të mbajë një seancë dhe të vendosë për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozimin e mandatarit”, thuhet në deklaratën e Gjukanoviqit.
Abazoviqi ka afat 90 ditë nga mandatimi për formimin e qeverisë së re. Të hënën, edhe Partia Popullore e Socialistëve ka marrë vendim që të jetë pjesë e qeverisë pakicë, duke shuar kështu dilemat nëse do të jetë apo jo pjesë e qeverisë së 43-të të Malit të Zi.
Vendimi i Presidentit Millo Gjukanoviq për mandatimin e Abazoviqit është kundërshtuar nga Fronti Demokratik dhe Demokratët, që kërkojnë formimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve.
Ata e konsiderojnë konceptin e qeverisë pakicë si “tradhti” ndaj vullnetit zgjedhor të votuesve në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, prandaj në Podgoricë dhe qytete të tjera malazeze po organizojnë protesta dhe bllokada duke kërkuar zgjedhje të reja. Ata akuzojnë URA-n dhe Abazoviqin për marrëveshje politike me Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Gjukanoviq.
Qeveria e Malit të Zi u rrëzua më 4 shkurt 2022, pasi që Kuvendi votoi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Që atëherë, Kuvendi i Malit të Zi është bllokuar pasi nënkryetari Strahinja Bulajiq nga Fronti Demokratik refuzoi të caktojë një seancë pasi që sipas tij, “kushtet politike nuk janë përmbushur”. Prandaj si zgjidhje e kësaj krize parlamentare pritet që seancën ku do të zgjidhet qeveria e re e Malit të Zi ta thërrasë nënkryetari tjetër i Kuvendit, Ervin Ibrahimoviq, përndryshe kryetar dhe deputet i Partisë Boshnjake.
Në rast të formimit të qeverisë pakicë, ajo pritet të ketë tre zëvendëskryeministra dhe 18 ministra, pesë prej të cilëve do t’u takojnë partive të pakicave, përfshirë partitë shqiptare.
(Kohapress/REL)
