Drejtimi Evro-Atlantik i Malit të Zi dhe Kosovës vendimtar për sigurinë në Ballkan

Prishtinë – Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, zhvilloi takime lamtumirëse me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Kosovë.
Gjatë javës së kaluar, ai është takuar me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla dhe u.d. së Presidentit, Vjollca Osmani.
Në deklaratën për shtyp të MPJD të Kosovës thuhet se tema kryesore e bisedës ishte vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve, ku Haradinaj – Stublla theksoi se mbarëvajtja e drejtimit Evro-Atlantik të Kosovës dhe Malit të Zi është vendimtare për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.
Ambasadori Dinosha dhe shefja e diplomacisë kosovare diskutuan për situatën aktuale politike e të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për raportet dypalëshe midis Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Duke folur për këto raporte, Haradinaj-Stublla tha se është e rëndësishme ruajtja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirë midis dy vendeve përmes vazhdimit të projekteve të përbashkëta ndërkufitare dhe infrastrukturore, siç është rruga Deçan-Plavë, të cilat do t’i japin hov zhvillimit ekonomik lokal dhe lidhjeve ndërkombëtare të rajonit.
Në këtë takim, ndërkaq, u vlerësua se marrëdhëniet në mes të Malit të Zi dhe Kosovës mbesin të mira, dhe u potencua roli i komuniteteve respektive në fuqizimin e tyre.
Shefja e diplomacisë kosovare dhe ambasadori Dinosha diskutuan edhe për rifunksionalizimin e Qendrës Zhvillimore të Malit të Zi në Prishtinë, për të cilën u tha se duhet të jetë në shërbim të të gjitha shoqatave të përfaqësimit të Malit të Zi në Kosovë, në të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Ministrja Haradinaj – Stublla shprehu falënderim të veçantë për Ambasadorin Dinosha, për gjithë punën dhe angazhimin e tij në mirëmbajtjen e marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Edhe u.d. së Presidentit Vjosa Osmani ka falënderuar ambasadorin Dinosha për angazhimin në avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet të të dy vendeve.
Në deklaratën për media të zyrës së Presidentit të Kosovës thuhet se Osmani theksoi se Mali i Zi është një partner strategjik dhe i rëndësishëm për Kosovën, teksa shprehu besimin për vazhdimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë në fushën e integrimeve evro-atlantike.
Palët diskutuan edhe për rolin konstruktiv të komunitetit malazez në Kosovë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat