Dorëzimi i kandidaturave deri më 26 mars

Podgoricë – Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Mal të Zi, më 15 prill, do të garojnë sipas të gjitha gjasave shtatë kandidatë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka vërtetuar deri të martën kadidaturat për President të Malit të Zi të kryetarit të Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, Hazbija Kalaç, kandidatit të pavarur Vasilije Milaçiq dhe kryetarit të partisë Mali i Zi i Drejtë, Marko Millaçiq. Ndërkohë që kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale edhe kandidati Mlladen Bojaniq, i cili mbështetet nga pjesa më e madhe e partive të opozitës, përfshirë Frontin Demokratik, Demokratët e Malit të Zi, Partinë Popullore Socialiste dhe Lëvizjen Qytetare URA, pastaj kandidatja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq, e cila ka mbështetjen edhe të partisë DEMOS dhe kandidati i pavarur, shkencëtari Dragan Hajdukoviq.
Kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve për President të Malit të Zi do të jetë kryetari i kësaj partie Millo Gjukanoviq, i cili edhe më herët në një mandat ka qenë kryetar i Malit të Zi.
“Vendimi im është shprehje e përgjegjësisë ndaj asaj çfarë janë detyrimet dhe të arriturat e Malit të Zi. Orientimi im personal ka qenë ndryshe, por kur merreni me punën me të cilën unë merrem për më shumë se një çerek shekulli, atëherë keni detyrime partiake, personale dhe shoqërore”, ka deklaruar Gjukanoviq, pas mbledhjes së Këshillit Qendror të PDS-së.
Kandidaturën e tij për president më herët e ka tërhequr prof. dr. Gjorgjije Bllazhiq, i cili ka paralajmëruar se do të mbështesë kandidatin e opozitës, Mlladen Bojaniq, ndërsa kryetari i Malit të Zi të Bashkuar, Goran Danilloviq, ka paralajmëruar se do të jetë kandidat i kësaj partie në zgjedhjet presidenciale.
Propozimet e kandidatëve për kryetar të Malit të Zi i dorëzohen Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve deri më 26 mars 2018.
Kryetari zgjedhet me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, me mandat pesëvjeçar. Kushtet për të kandiduar i plotëson shtetasi i Malit të Zi, i cili dhjetë nga 15 vitet e fundit ka jetuar në Mal të Zi.
Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, në vitin 1990. Kryetar i Malit të Zi nga viti 2003 është Filip Vujanoviq, i cili këtë funksion e ka ushtruar për tre mandate radhazi.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat