Donacion i vlefshëm për diabetikët

Falë donacionit të Komunës së Ulqinit për diabetikët të cilët nuk marrin insulinë janë ndarë aparate, shirita dhe lançeta, kurse për ata që marrin insulinë janë shpërndarë vitamina. Po ashtu është shpërndarë edhe një fletëpalosje edukativo-shëndetësore me të dhënat kryesore për diabetin dhe llojet e tij, diagnostikimin etj., ndërsa për të pranishmit e interesuar është bërë matja falas e nivelit të sheqerit në gjak

Ulqin – Shoqata e Diabetikëve “Rrethi i Kaltër” dhe Komuna e Ulqint shënuan të hënën Ditën Botërore të Diabetit me një aktivitet të organizuar në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Me këtë rast, për diabetikët të cilët nuk marrin insulinë janë ndarë aparate, shirita dhe lançeta, kurse për ata që marrin insulinë janë shpërndarë vitamina. Po ashtu është shpërndarë edhe një fletëpalosje edukativo-shëndetësore me të dhënat kryesore për diabetin dhe llojet e tij, diagnostikimin etj., ndërsa për të pranishmit e interesuar është bërë matja falas e nivelit të sheqerit në gjak.
Kryetarja e Shoqatës së Diabetikëve “Rrethi i Kaltër”, Veneranda Gjonaj, ka thënë se sivjet kanë hasur në mbështetjen e Komunës së Ulqinit, për dallim prej viteve të kaluara kur kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër. Për këtë ajo ka falënderuar kryetarin e Komunës së Ulqint dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë siguruar donacionin për blerjen e materialeve të nevojshme për diabetikët.
Gjonaj ka theksuar se shtresa e personave që vuajnë nga diabeti, përpos që ballafaqohen me probleme shëndetësore, kanë nevojë edhe për një buxhet për blerjen e ilaçeve të kushtueshme për këtë sëmundje.
“Dhe janë të shumtë ata të cilët nuk kanë mundësi t’i ndajnë, t’i blejnë, t’i masin së paku një herë në ditë”, ka thënë ajo.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka shprehur kënaqësi për mundësinë që të ndihmojnë shtresën e personave të vuajnë nga diabeti.
Ai ka thënë se donacioni është një gjest shumë i mirë i Komunës së Ulqinit.
“Komuna duhet të ketë një rol shumë aktiv si në shëndetësi, ashtu edhe në sferat tjera të jetës sonë. Pa marrë parasysh a ka kompetenca apo jo, ne si komunë duhet të jemi shembull dhe t’u ndihmojmë qytetarëve tanë, pa marrë parasysh se për cilën sferë bëhet fjalë, e sidomos në sferën e shëndetësisë”, ka theksuar kryetari i Komunës së Ulqinit.
Bajraktari ka premtuar se përkrahja e Komunës së Ulqinit për diabetikët nuk do të mungojë asnjëherë.
Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësi të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit. Dallohen dy lloje kryesore të diabetit: ai i tipit 1, i cili haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet, dhe ai i tipit 2 që është shumë më i shpeshtë dhe haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet.
Në vitin 2007, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën 61/225 duke përcaktuar 14 nëntorin si Ditën Botërore të Diabetit, që shënohet në mbarë botën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF). Dita Botërore e Diabetit ofron mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diabetin si një çështje globale e shëndetit publik dhe çfarë duhet bërë, individualisht dhe kolektivisht, për parandalimin, diagnostikimin dhe menaxhimin më të mirë të gjendjes.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat