Guci – Kryetari i Komunës së Gucisë, njëherazi edhe drejtori politik i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Bujar Hasangjekaj, bashkë me nënkryetarin e Kuvendit të Komunës së Gucisë, Mesud Çekiq, u takuan të premten në Podgoricë me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq.
Gjatë takimit, Beçiq nënvizoi se Parlamenti i Malit të Zi paraqet vendin për dialog, në të cilin duhet të afirmohen temat që janë të një rëndësie të veçantë për përmirësimin e mjedisit të përgjithshëm shoqëror.
Siç njoftohet nga Kuvendi i Malit të Zi, kryeparlamentari Beçiq ka përshëndetur nismën për vendosjen e komunikimeve më intensive me vetëqeverisjet lokale.
Bashkëbiseduesit nga Gucia, Hasangjekaj e Çekiq, e informuan kryetarin e Parlamentit për sfidat aktuale të Komunës së Gucisë dhe shprehën besimin e tyre se gjatë mandatit aktual ata do të arrijnë bashkëpunim më aktiv me Parlamentin, në mënyrë që të krijojnë parakushte për tejkalimin e tyre, me veprim të përbashkët.
Në deklaratën për gazetën “Koha javore”, kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, u shpreh se kishin një takim miqësor e konstruktiv me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi.
“Biseduam për domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Malit të Zi dhe Kuvendit Komunal të Gucisë, për domosdoshmërinë e përkrahjes nga ana e Kuvendit dhe e Qeverisë së Malit të Zi për zhvillim të mëtutjeshëm të komunës sonë, si dhe për nevojën që pakicat në Mal të Zi të jenë pjesë përbërëse në të gjitha nivelet e pushtetit”, theksoi ai.
Shaban Hasangjekaj
