Do të veprojë si opozitë

Partia Demokratike Popullore (PDP) nuk do të mbështesë Qeverinë e Malit të Zi të kryeministrit Millojko Spajiq dhe nuk do të jetë më pjesë e koalicionit qeverisës në kryeqytet (Podgoricë).
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Millan Knezheviq, në një konferencë për shtyp të premten, më 30 janar 2026, duke nënvizuar se prej sot PDP do të veprojë si opozitë në nivel shtetëror dhe lokal.
Edhe dy pjesëtarët e kësaj partie në Qeverinë e Malit të Zi – nënkryetari i Qeverisë për Infrastrukturë dhe Zhvillim Rajonal, Millun Zogoviq, dhe ministrja e Transportit Maja Vukiqeviq kanë dhënë dorëheqje.
Largimi i PDP-së, e cila në Kuvendin e Malit të Zi ka katër deputetë, nuk e rrezikon Qeverinë e kryemistrit Millojko Spajiq, e cila edhe pa këtë parti e ka shumicën, ndërsa pritet të shkaktojë krizë institucionale në kryeqytetin Podgoricë pasi që pa mbështetjen e këshilltarëve të PDP-së pushteti aktual nuk e ka shumicën.
Shkak për largimin e PDP-së nga Qeveria shtetërore dhe qeverisja në Podgoricë është bërë ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Botun të Zetës, të cilin kjo parti e ka kundërshtuar dhe ka mbështetur protestat e banorëve të Zetës që kanë filluar në vendin ku do të ndërtohet ky impiant, por më pas janë shtrirë edhe në rrugët kryesore që e lidhin Podgoricën me pjesët tjera të vendit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat