Plavë/Guci – 28 Nëntori – Festa e Flamurit Kombëtar Shqiptar, festa e ditës kur më 28 Nëntor të vitit 1443 në Krujën legjendare trimi ynë kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ngriti flamurin kuq e zi dhe më 28 Nëntor të vitit 1912, kur në Vlorën heroike, plaku legjendar Ismail Qemajli me patriotë të tjerë kombëtarë shqiptarë, ngriti flamurin kuq e zi me shkabën dykrenare, me ç’rast shteti amë Shqipëria, u shpall shtet i pavarur dhe sovran, 28 Nëntori, shënimi i ditëlindjes së 68-të të komandantit legjendar Adem Jashari nga Prekazi heroik i Kosovës, këtë vit në komunat e Plavës dhe Gucisë u shënua me një varg aktivitetesh solemne, ca prej të cilave u organizuan dhe u mbajtën pak ditë para ditës të festës së flamurit.
Shënimi dhe manifestimi i kësaj dite madhore e historike mbarëkombëtare shqiptare, filloi të premten më 24 nëntor 2023, me programin e begattë dhe të larmishëm kulturor, artistik e muzikor të OJQ “Alpet Shqiptare” dhe të SHKA-së vendase “Maja e Karanfilit”, në organizimin e të cilëve në orët e paradrekës të së premtes në fjalë, rinia plavo-guciane (djem e vasha), me ca dhjetëra automjete organizoi marshimin (rrugëkalimin) përgjatë rrugës magjistrale (rajonale) Guci-Plavë-Guci, të një e dy flamujve kuq e zi në secilin automjet. Ata pastaj me të kthyer, në sheshin e Gucisë performuan këngë e valle kushtuar festës madhore Ditës së Flamurit.
Në këtë ditë, programi festiv vazhdoi në orët e mesditës në sallën e madhe të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” të Plavës me performim dhe interpretim rreth dy orësh të këngëve e valleve burimore autoktone dhe të recitimeve e recitaleve kushtuar festës nga anëtarët e SHKA-së vendase “Maja e Karanfilit”, në praninë e një numri të konsiderueshëm pjesëmarrësish plavjanë e gucianë.
Programi manifestues vazhdoi në mbrëmjen e ditës së festës me vendosjen e flamujve kuq e zi (një e dy), në ballkonet dhe çatitë e shumë shtëpive familjare shqiptare në vendbanimet rurale, në të dy komunat, në ato të qyteteve të Plavës e Gucisë dhe në objekte të disa institucioneve dhe ndërmarrjeve të tyre.
Shënimi i Ditës së Flamurit, u manifestua edhe në shkollat fillore “Hajro Shamnaoviq” të Plavës dhe “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë dhe në Shkollën e Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” të Plavës, në të cilat mësimdhënësit e historisë, nxënësve u mbajtën ligjërata kushtuar Ditës së Flamurit, ndërsa ata të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, me nxënës organizuan dhe mbajtën recitime dhe recitale kushtuar festës.
Në orët e mbrëmjes të ditës së festës, të rinjtë plavo-gucianë, të shoqëruar me të moshuar, ca çaste solemne i kanë kaluar në lokalet e disa objekteve hoteliere të Plavës e Gucisë duke i shprehur njëri-tjetrit urime dhe dolli për festën madhore të pritur.
Shaban Hasangjekaj