Diskutohet mbi pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në jetën shoqërore dhe ekonomike

Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Ambasadori Christopher Kamp me delegacion, gjatë qëndrimit të tij në Mal të Zi organizoi në Podgoricë tryezën e rrumbullakët me përfaqësues të këshillave të pakicave në Malin e Zi me qëllim të shkëmbimit të mendimeve dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit që lidhen me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në jetën shoqërore dhe ekonomike të Malit të Zi.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, gjatë takimit me komisionerin Kamp, e njoftoi gjerësisht mbi statusin dhe situatën e shqiptarëve në Malin e Zi, duke theksuar ruajtjen e identitetit kombëtar, shtrirjen territoriale dhe numrin e shqiptarëve në Malin e Zi, sipas censusit të fundit, çështjen e arsimit në gjuhën shqipe, ku mungojnë librat adekuatë për mësimin e historisë dhe kulturës së identitetit shqiptar, çështjen e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet publike, agjencitë qeveritare, këshillat drejtuese të kompanive publike etj.
Kryetari Nika e njoftoi Ambasadorin Kamp edhe për zhvillimin ekonomik të territoreve ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, zhvillimin infrastrukturor, pastaj mbi të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, toponimisë dhe simboleve kombëtare, mbi botimet në gjuhën shqipe, mediat dhe informimin, si dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi.
Takimi i parapriu Konferencës Rajonale mbi “Nxitjen e zhvillimit ekonomik në shoqëritë e larmishme në Evropën Juglindore”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat