Podgroricë – Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj zhvilloi takim me ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Siç njoftohet nga Kuvendit i Malit të Zi, bashkëbiseduesit fillimisht kanë theksuar marrëdhëniet tradicionalisht miqësore mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe aspiratën e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Gjatë bisedimeve u theksua veçanërisht vizioni i përbashkët euroatlantik i Malit të Zi dhe Shqipërisë, siç dëshmohet nga bashkëpunimi në kuadër të procesit integrues. Synimi i përbashkët i të dy vendeve është orientimi i tyre në politikën e jashtme dhe përkushtimi ndaj bashkëpunimit rajonal”, theksohet në njoftim.
Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë u shprehën se marrëdhëniet në planin politik mund të vlerësohen si shumë të mira dhe nënkuptojnë kontakte dhe bashkëpunime të shpeshta në nivelin më të lartë.
Rëndësi të veçantë, siç u pajtuan ata, zë bashkëpunimi në fushën e rregullimit të pozitës së pakicave kombëtare në të dyja vendet.
Nënkryetari Camaj tha se angazhimi i shqiptarëve në Mal të Zi është që të promovojnë marrëdhënie jashtëzakonisht të mira mes dy vendeve.
Në të njëjtën kohë, bashkëbiseduesit u shprehën me lëvdata për miratimin e përdorimit të alfabetit universal të shqipes për shqiptarët në Mal të Zi duke paralajmëruar mundësinë e hapjes së Katedrës të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Mal të Zi.
Në fund të takimit u konstatua se bashkëpunimi parlamentar mund të intensifikohet, duke vlerësuar faktin se në Kuvendin e Malit të Zi është aktiv Grupi i Miqësisë me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
t. u.