Disa pika të marrëveshjes varen vetëm nga veprimet e ministrive

Ulqin – Koalicioni “Shqiptarët të Vendosur”, i cili përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare, ka shprehur pakënaqësi lidhur me realizimin e marrëveshjes së koalicionit qeverisës në nivel shtetëror.
Në takimin e përfaqësuesve të këtij koalicioni, të mbajtur në Ulqin, është diskutuar për realizimin e marrëveshjes së Koalicionit në nivel shtetëror, për angazhimin dhe qëndrimin në Kuvendin e Malit të Zi kundrejt Ligjit për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve, si dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale në komunat e Tuzit dhe Ulqinit.
Përmes një deklarate për shtyp pas këtij takimi, nga Koalicioni “Shqiptarët të Vendosur” kanë bërë të ditur se “nga diskutimi dhe analiza e hollësishme e ushtrimit të qeverisjes në nivel shtetëror është konstatuar një temp dhe intensitet i ngadalshëm i realizimit të marrëveshjes politike dhe veçanërisht është diskutuar për shkaqet e mosrealizimit”.
Sipas këtij koalicioni, disa pika të marrëveshjes qeverisëse, të cilat janë fare lehtë të realizueshme, varen vetëm nga veprimet e ministrive përkatëse.
Tema kryesore e takimit ka qenë qëndrimi i mbajtur nga deputeti i Koalicionit “Shqiptarët të Vendosur”, Genci Nimanbegu, në Kuvendin e Malit të Zi, i cili ka votuar kundër Ligjit për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve.
“Është dhënë përkrahje unanime dhe e plotë veprimit dhe angazhimit të deputetit të Koalicionit, Genci Nimanbegu, dhe janë dakorduar hapat e ardhshëm në lidhje me vlerësimin se aprovimi i këtij ligji është në kundërshtim me marrëveshjet që Koalicioni ‘Shqiptarët të Vendosur’ i kanë nënshkruar, si me subjektet e partive të tjera nacionale në Parlamentin e Malit të Zi, ashtu edhe me marrëveshjen e përgjithshme mbi qeverisje në Mal të Zi”, thekson deklarata për shtyp.
Pikë tjetër e takimit të përfaqësuesve të Koalicionit “Shqiptarët të Vendosur” ka qenë shqyrtimi i përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Është shqyrtuar se cilat janë mënyrat më optimale për bashkëpunim ndërmjet tre subjekteve në zgjedhjet e ardhshme në Tuz dhe pastaj në Ulqin. Synimi i Koalicionit do të jetë që të arrihen fitore në zgjedhjet e ardhshme, si në Tuz ashtu edhe në Ulqin”, thuhet në deklaratë.
Në fund të saj theksohet se Trupi koordinues i Koalicionit “Shqiptarët të Vendosur” përbëhet nga kryetarët e tri partive politike që e përbëjnë këtë koalicion: Nazif Cungu, Mehmed Zenka dhe Gjergj Camaj, si dhe nga zyrtarët e lartë partiakë të këtyre partive: Genci Nimanbegu, Hatixhe Gjoni, Xhaudet Cakuli, Smail Maliq Çunmulaj, Nik Gjeloshaj, Ardijan Mavriq dhe Fadil Kajoshaj. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat