Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Pas më shumë se gjashtë muajsh nga zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt 2025, Kosova ka arritur të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe t’i hapë rrugë konstituimit të plotë të tij.
Në përpjekjen e 58-të, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur të martën kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Për zgjedhjen e tij kanë votuar 73 deputetë, 30 kanë votuar kundër, ndërsa tre kanë abstenuar.
Krahas 48 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka arritur të sigurojë votat edhe të një pjese të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa partive të pakicave. Ndërsa kundër zgjedhjes së tij kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.
Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.
“Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha.
Ai theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”.
Basha shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse “jetojmë në një demokraci”.
Dy ditë më parë (të dielën), Basha nuk kishte arritur të siguronte shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për t’u zgjedhur kryetar, por si duket, një pjesë e deputetëve të partive opozitare kanë reflektuar dhe ndryshuar mendje.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka arsyetuar votën pro Bashës me qëllimin për ta zhbllokuar situatën në Kuvend.
“Në një situatë normale, në një botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimali (Basha) në krye të Kuvendit. Por, sot kemi votuar për të zhbllokuar situatën”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar si “një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj (LVV)”.
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”. Ai gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri” në Universitetin “The New School University”, po ashtu në New York.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.
Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Pas zgjedhjes së kryetarit, Kuvendi i Kosovës ka vijuar me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve – tre nga tri grupet më të mëdha parlamentare dhe dy nga partitë e pakicave, siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Albulena Haxhiu nga LVV, Vlora Çitaku nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK janë zgjedhur nënkryetarë nga partitë shqiptare, me 101 vota për, asnjë kundër dhe nëntë abstenime, ndërsa Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga pakicat joserbe, me 71 vota për, një kundër dhe 23 abstenime. Pas dështimit dhe në mungesë konsensusi për të zgjedhur nënkryetarin nga partitë serbe, kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ka ndërprerë seancën e Kuvendit, dhe ka bërë të ditur se ajo do të vazhdojë sot (të enjten).

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat