Ulqin – Ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit në Qeverinë e Malit të Zi, Ana Novakoviq – Gjuroviq, është shprehur se Kriporja e Ulqinit është xhevahiri ynë, të cilin kemi detyrim ta mbrojmë.
“Ne kemi detyrim ta mbrojmë, natyrisht ta valorizojmë në masën që është e mundur. Ky është përcaktimi ynë absolut dhe siç e kam thënë, ajo nuk është rëndësishme vetëm për këtë qytet por për shtetin tonë”, ka thënë ajo.
Ministrja ka thënë se beson dhe shpreson që Qeveria e Malit të Zi do të marrë vendime të rëndësishme për Kriporen, në mënyrë që të jetësohet vendimi që ajo edhe në praktikë të jetë park i natyrës.
“Besoj dhe shpresoj që shumë shpejt do t’i gëzojmë, posaçërisht Zenepen dhe kolegët tanë nga sektori joqeveritar të cilët vërtet janë të përkushtuar në mbrojtjen e Kripores, me disa vendime të rëndësishme në nivel të qeverisë, të cilat kërkojnë kohë dhe shumë procedura. E di që të gjithë jemi të padurueshëm lidhur me këtë, por vërtet jemi të përkushtuar që ajo që në vitin 2019 është shpallur park natyror, ta kemi realisht edhe në praktikë, jo vetëm në letër”, ka thënë Novakoviq – Gjuroviq.
Ajo ka thënë se përcaktimi i Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, gjegjësisht i Qeverisë së Malit të Zi, është që t’i mbrojnë burimet, por natyrisht edhe t’i valorizojnë aty ku është e mundur, por vetëm në përputhje me standardet ekologjike.
“Kjo është perspektiva e madhe dhe e ardhmja e shtetit tonë”, është shprehur Novakoviq – Gjuroviq.
Ajo i ka bërë këto deklarata të premten mbrëma (1 shtator 2023), ku ka marrë pjesë në edicionin e tretë të Festivalit BirdSaltPeople, i cili organizohet nga Asociacioni Dr. Martin Schneider-Jacoby.
Duke folur për këtë festival, ministrja ka thënë se festivalet e këtij lloji, të lidhur me aktivizmin ekologjik, paraqesin rëndësi të madhe jo vetëm për Ulqinin por për tërë shtetin, prandaj mbështetja e projekteve dhe aktiviteteve të këtilla mbetet prioritet për Ministrinë e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit.
Ministrja Novakoviq – Gjuroviq ka premtuar se ashtu si këtë vit, edhe në të ardhmen do të vazhdojnë ta mbështesin këtë festival.
“ Ne jemi edhe këtë vit në njëfarë mënyre mbështetës të Festivalit në masën e cila ka qenë e mundur teknikisht dhe financiarisht. Ajo që mund të them është se edhe në perspektivë do të mbështesim projekte, aktivitete dhe ide të këtilla, sepse jam e sigurt se vetëm me punë të përbashkët dhe aktivizmin e organizatave joqeveritare, të aktivistëve në përgjithësi dhe shtetit në anën tjetër, mund ta arrijmë atë ëndrrën, që të gjithë e ëndërrojmë, që Mali i Zi përpos që shkruan në Kushtetutë, edhe në realitet të bëhet shtet ekologjik”, ka thënë ajo.
i. k.