Deri tani pa rrugëdalje

Shumica qeverisëse në Mal të Zi vazhdon të jetë në krizë për shkak të mosmarrëveshjeve të partnerëve të koalicionit për modelin e përbërjes së qeverisë.
Edhe takimi i fundit i partive parlamentare të shumicës, të hënën, nuk ka dhënë ndonjë rezultat. Partitë që përbëjnë koalicionin rreth Frontit Demokratik vazhdojnë të insistojnë se kryeministri Zdravko Krivokapiq nuk gëzon më besimin e tyre dhe se duhet të kërkohet mandatori i ri dhe të krijohet qeveria e re. Kjo aleancë ka deklaruar më 1 nëntor se riformatimi i qeverisë së Malit të Zi është proces i vdekur politik dhe se Fronti Demokratik nuk do të marrë pjesë më në bisedime për rikonstruktimin e qeverisë.
Përfaqësuesit e partive parlamentare që përbëjnë shumicën duhet që deri të premten t’i kthejnë përgjigje Frontit Demokratik nëse janë të gatshëm për bisedime mbi formimin e qeverisë së re.
Nga ana tjetër, Lëvizja Qytetare URA mbron qëndrimin se ata i qëndrojnë marrëveshjes paraprake për konceptin e qeverisë së përbërë nga ekspertët, integrimin e Malit të Zi në BE dhe konceptin e tij qytetar.
Rrethanat e reja politike kanë bërë që edhe partitë parlamentare shqiptare të deklarohen rreth qeverisë dhe mundësisë së hyrjes së tyre në qeverinë e re.
Kryetari i Alternativës Shqiptare dhe bartësi i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ka thënë se mund të bisedojnë për çdo gjë, por së pari të votojnë për shkarkimin e qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
“Koha është që më në fund të kemi qeverinë e cila ka mbështetjen e shumicës, në mënyrë që të funksionojë shteti”, ka thënë ai, duke shtuar se në demokracitë e zhvilluara kryeministri do të duhej të jepte dorëheqje pas qëndrimit të koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”.
“Pasi që kjo nuk ka ndodhur, pres që ky koalicion të inicojë votimin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe mund të presin përkrahjen tonë, që së bashku të parashtrojmë iniciativën, por edhe të votojmë, gjegjësisht të konstatojmë rënien e qeverisë”, ka thënë Gjeloshaj.
Bisedimet për rikonstruktimin e qeverisë janë ndërprerë dhe me siguri nuk do të vazhdojnë, megjithëse ky propozim gëzonte fillimisht mbështetjen e 38 deputetëve të shumicës, me përjashtim të tre deputetëve të Lëvizjes Qytetare URA.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat