Deputetët votuan kundër

Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi ka votuar të premten kundër futjes në rendin e ditës së mbledhjes të propozimit të Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për shkurtimin e mandatit të Kuvendit.
Propozimin e Gjukanoviqit e kanë mbështetur 39 deputetë, ndërsa 41 kanë votuar kundër, prandaj mbledhja ka përfunduar pas votimit për rendin e ditës.
Në arsyetimin e propozimit të tij për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, Gjukanoviq ka theksuar se nuk janë krijuar kushtet që mandati për formimin e Qeverisë t’i besohet kryetarit të DEMOS-it, Miodrag Lekiq.
“Procesi i konsultimit ka treguar qartë se nuk ekziston bazë që në afatin e parashikuar me Kushtetutë të propozohet mandatori i cili do të siguronte mbështetjen në Kuvend për formimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi”, thuhet në arsyetimin e propozimit të Presidentit të Malit të Zi.
Për shkak të refuzimit të Presidentit Millo Gjukanoviq për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së re Miodrag Lekiqit, 41 deputetë të shumicës së vjetër parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, ka inicuar procedurën për shkarkimin e tij, me arsyetimin se e ka shkelur Kushtetutën e Malit të Zi, por për këtë iniciativë duhet të deklarohet paraprakisht Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, e cila për momentin është e bllokuar për shkak se ka vetëm tre gjykatës nga shtatë sa ka gjithsej.
Po të premten, në Kuvendin e Malit të Zi ka vazhduar seanca e jashtëzakonshme, e filluar më 2 shtator, për shkarkimin e kryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviq, e inicuar nga Fronti Demokratik. Por shumica e deputetëve (45) kanë votuar kundër kësaj iniciative, 32 kanë qenë për, kurse një fletëvotim ka qenë i pavlefshëm. Kështu Danijella Gjuroviq nga Partia Popullore e Socialistëve do të vijojë të jetë në krye të Kuvendit të Malit të Zi.
Në këtë mënyrë vijon kriza politike dhe institucionale në Mal të Zi, ku forcat politike dhe krerët e institucioneve akuzojnë njëri-tjetrin, pa ofruar zgjidhje për ngërçin e krijuar politik.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat