Kuvendi i Malit të Zi pritet të votojë sërish sot për Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme mes Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky ligj nuk është dekretuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për shkak të “shumë çështjeve të hapura lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes”
Në seancën e mbajtur më 22 dhe 23 prill 2025, Kuvendi i Malit të Zi i ka miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjet që ratifikojnë Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Debati, gjatë të cilit u hodhën poshtë të gjitha amendamentet e deputetëve, zgjati mbi 12 orë dhe përfundoi një orë pas mesnatës, të mërkurën, më 23 prill 2025.
Miratimi i marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme mes Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe ka ngjallur debate të ashpra dhe protesta të qytetarëve të Ulqinit, ekologëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, opozitës etj., të cilët vlerësojnë se ajo është bërë në mënyrë jotransparente, shkel ligjet në fuqi dhe rrezikon të ardhmen e Ulqinit dhe banorëve të tij.
Edhe pse në marrëveshje nuk specifikohet vendndodhja e investimeve, Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar se ato lidhen me investimet e biznesmenit arab Mohamed Alabbar në Plazhin e Madh të Ulqinit. Bëhet fjalë për një qira 99-vjeçare të Plazhit të Madh, që së bashku me hapësirën përreth përfshin rreth 20 milionë metra katrorë, ku do të ndërtoheshin objekte turistike dhe banimi. Ndërkohë pas kundërshtimeve dhe protestave të shumta të qytetarëve të Ulqinit, biznesmeni arab Mohamed Alabbar ka deklaruar në mënyrë të tërthortë se ka hequr dorë nga investimi në Plazhin e Madh, por megjithatë kjo mbetet një çështje e hapur.
Krahas kësaj pike, në rendin e ditës është ndër të tjera edhe Propozimi për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, që është inicuar nga deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Socialdemokratëve.
(Kohapress)