Kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Malit të Zi Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, të miratuar më 4 shkurt të këtij viti.
Me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Malit të Zi parashikohet që zgjedhjet e ardhshme për këshilltarë në kuvendet e komunave Ulqin dhe Beran të mbahen në vitin 2022, njëkohësisht me zgjedhjet e rregullta lokale në Podgoricë dhe Gollubovc, si dhe në komunat Tivar, Bijello Pole, Danillovgrad, Kollashin, Plavë, Plluzhinë, Plevle, Rozhajë, Zhablak dhe Shavnik.
Gjukanoviq ka theksuar se vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për këshilltarë të kuvendeve të komunave Ulqin dhe Beran e ka nxjerrë më 26 janar 2022 dhe se i njëjti “ka hyrë në fuqi ditën e nxjerrjes”.
“Dëshiroj të theksoj se shpallja e këtij ligji, hyrja në fuqi e tij dhe veprimet e Kryetarit të Malit të Zi në përputhje me kuptimin dhe frymën e tij, do të hapte çështjen e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, sigurisë juridike në sistemin politik dhe juridik shtetëror, si dhe ndalimit kushtetues të fuqisë prapavepruese të ligjeve dhe rregulloreve të tjera”, ka thënë kryetari malazez në sqarimin e tij.
Ai ka përfunduar se “nga sa më sipër, e konsideron të arsyeshme kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale”.
Nëse mbetet në fuqi vendimi i kryetarit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, zgjedhjet lokale në Ulqin dhe Beran do të mbahen më 27 mars të këtij viti.
(Kohapress/VOA)
