Debate dhe akuza ndërmjet këshilltarëve të pozitës dhe opozitës

Guci – Propozim përfundimi mbi çështjen e transferimit të nxënësve të paraleles së ndarë në Guci të shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë për t’i vijuar mësimet në shkollën amë në Plavë, në vitin shkollor 2025/2026, dhe shqyrtimi i rrethanave dhe arsyes për heqjen e paradokohshme të bustit të heroit kombëtar Isuf Kamer Çelaj në fshatin Vuthaj të Gucisë, ishin tema diskutimi të dy pikave të vetme të rendit të ditës së seancës së tretë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Gucisë në vitin 2025.
Seanca është thirrur me kërkesë të dy subjekteve politike në opozitë – Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Forumit Shqiptar, dhe në të ishin të pranishëm 28 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi i Komunës së Gucisë.
Pas miratimit të rendit të propozuar të ditës, me 27 vota “Për” dhe një “Kundër”, kryetari i Kuvendit, Edvin Bektesheviq i njoftoi të pranishmit lidhur me çështjen e transferimit të nxënësve të paraleles së ndarë të shkollës së mesme në Guci për t’i ndjekur mësimet në shkollën amë në Plavë, në vitin shkollor 2025/2026.
Ai lexoi përgjigjen e drejtoreshës së shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, Snezhana Bojoviq, në ankesën e 17 këshilltarëve të opozitës dhe pozitës, në të cilën thuhet se Këshilli i mësimdhënësve të shkollës në fjalë, në mbledhjen e mbajtur më 1 shtator 2025, kishte marrë vendim që nxënësit e paraleles së ndarë në Guci (dy klasat – II dhe IV) këtë vit shkollor t’i ndjekin mësimet në shkollën amë në Plavë. Ky vendim u zbatua deri më 4 shtator 2025, kur Këshilli i shkollës, në mbledhjen e mbajtur në bazë të ankesës së këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Gucisë, hodhi poshtë vendimin e Këshillit të mësimdhënësve dhe prej 5 shtatorit 2025 nxënësit e paraleles së ndarë në Guci sërish i vazhdojnë mësimet në paralelet përkatëse në Guci.
Përkitazi me këtë çështje të rëndësishme, u zhvilluan debate të ashpra ndërmjet këshilltarëve të pozitës dhe opozitës, duke fajësuar njëri-tjetrin për këtë problem kontestues, për ndriçimin e të cilit në seancë u tha se meritat i takojnë kryetares së Klubit të Këshilltarëve të Partisë Boshnjake, Dr. Harisa Llalliçiq, e cila e ka aktualizuar atë.
Pas debatit afër katër orësh, këshilltarët me votim të hapur miratuan njëzëri Përfundimin e përbashkët prej pesë pikash të kryetarëve të klubeve të partive që marrin pjesë në Kuvend.
Edhe lidhur me pikën e dytë të rendit të ditës – Shqyrtimi i rrethanave dhe arsyes për heqjen e bustit të heroit kombëtar Isuf Kamer Çelaj në Vuthaj të Komunës së Gucisë – u zhvillua debat i ashpër ndërmjet këshilltarëve të Forumit Shqiptar në opozitë dhe atyre të Grupit të qytetarëve “Lëvizja për Gucinë”.
Këshilltarët e Forumit Shqiptar – Salih Gjonbalaj, Bujar Hasangjekaj, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj dhe Gani Kukaj, në diskutimet e veta fajësuan Komunën e Gucisë në krye me kryetarin e saj, Sanell Balliq, dhe nënkryetarin Asdren Çelaj, si dhe nënkryetarin e Kuvendit, Fadil Ulaj, për heqjen pa kurrfarë reagimi të bustit të heroit kombëtar Isuf Kamer Çelaj. Në këtë drejtim kritika të forta i drejtuan kryetarit të Komunës, i cili angazhoi Ndërmarrjen për Veprimtari Komunale për heqjen e bustit në fjalë.
Në përgjigje ndaj këshilltarëve që e akuzuan, kryetari Balliq theksoi se ai ka zbatuar urdhrat e inspektorit relevant të Ministrisë së Kulturës dhe Mediave.
Para fillimit të punës së seancës së jashtëzakonshme, kryetari i Kuvendit të Komunës, Edvin Bektesheviq i njoftoi këshilltarët se procesverbalet nga seanca e dytë e rregullt, e mbajtur më 20 qershor 2025, dhe nga seanca e dytë e jashtëzakonshme, e mbajtur më 30 korrik 2025, do të shqyrtohen dhe miratohen në seancën e rregullt të radhës.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat