Çmimi Vjetor iu nda Vasel Sinishtajt (pas vdekjes)

“Kjo mirënjohje për ne nuk është thjesht formale, është një kujtesë e fortë se njeriu që jeton për komunitetin, që ndihmon pa zhurmë e pa interes, lë gjurmë që nuk fshihen. Besoj se porosia e tij do të ishte e thjeshtë: të mos e lëmë askënd vetëm në hall, të punojmë me ndershmëri, të mos e humbim shpresën dhe ta mbajmë afër njëri-tjetrin”, është shprehur Albian Sinishtaj

Në ceremoninë solemne me rastin e 15 Dhjetorit – Ditës së Çlirimit të Tuzit, e cila u mbajt të hënën, më 15 dhjetor 2025, në Kuvendin e Komunës së Tuzit, u bë ndarja e Çmimit Vjetor “15 Dhjetori – Dita e Çlirimit të Tuzit”, i cili këtë vit iu nda Vasel Sinishtajt (pas vdekjes), për kontributin e tij shoqëror, politik, patriotik dhe humanitar gjatë jetës.
I biri i Vasel Sinishtajt, Albian Sinishtaj, përmes një deklarate publike, falënderoi të gjithë propozuesit, anëtarët e Komisionit dhe të gjithë ata që ndanë fjalë të mira.
“Kjo mirënjohje për ne nuk është thjesht formale, është një kujtesë e fortë se njeriu që jeton për komunitetin, që ndihmon pa zhurmë e pa interes, lë gjurmë që nuk fshihen. Besoj se porosia e tij do të ishte e thjeshtë: të mos e lëmë askënd vetëm në hall, të punojmë me ndershmëri, të mos e humbim shpresën dhe ta mbajmë afër njëri-tjetrin”, është shprehur ai.
Sinishtaj ka thënë më tej se, duke qenë se ky çmim bart edhe një fond të hollash, në emër të familjes ka shprehur dëshirën që ai të dedikohet për humanizëm.
“Aty ku më së shumti ka nevojë, sepse edhe jeta e tij ishte e tillë: në shërbim të njerëzve”, është shprehur ai.
Në solemnitetin me rastin e 15 Dhjetorit – Ditës së Çlirimit të Tuzit kanë marrë pjesë figura të shquara nga sfera e politikës, si dhe nga institucionet shtetërore dhe fetare, ndërsa është shfaqur një program artistik.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat