Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi kanë dënuar rastin e marrjes në pyetje të qytetarit nga komuna e Ulqinit, nga ana e nëpunësit policor të Njësisë së Sigurisë në Ulqin, për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar në hapësirat e pronës private-familjare.
KKSH vlerëson se bëhet fjalë për shkelje të Ligjit për simbole kombëtare të Malit të Zi dhe Ligjit për rend dhe qetësi publike.
“Prandaj e dënojmë ashpër këtë akt, i cili cenon të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, i cituar në procesverbal si ‘flamuri i shtetit tjetër’”, thuhet në deklaratën për shtyp të KKSH-së, duke shtuar se ky është një interpretim i gabuar dhe i pabazuar i ligjeve në fuqi.
“Flamuri të cilit nëpunësi i policisë i referohet si simboli i një shteti tjetër, në këtë rast është famuri kombëtar i shqiptarëve, i pranuar zyrtarisht, për të cilin Qeveria e Malit të Zi ka dhënë pëlqimin e saj më 24 shtator 2020, ndërsa dokumenti ‘Etaloni i stemës, flamurit, himnit dhe festës kombëtare të popullit shqiptar në Mal të Zi’ është dorëzuar zyrtarisht dhe është arkivuar në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 mars 2021, siç e parasheh ligji në fuqi për simbolet e pakicave kombëtare”, kanë sqaruar nga KKSH.
Për LD në MZ “këto praktika përbëjnë shkelje të qarta të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Malit të Zi, me ligjet në fuqi, si dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, të cilat shteti i Malit të Zi është zotuar t’i respektojë”.
Kjo parti kërkon nga institucionet shtetërore që menjëherë të ndërpresin praktikat e tilla diskriminuese dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës publike si dhe apelon tek institucionet ndërkombëtare dhe misionet diplomatike në Mal të Zi që të ndjekin nga afër këto zhvillime dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre për garantimin e të drejtave të pakicave.
Ajo po ashtu i “fton shqiptarët në Malin e Zi të qëndrojnë të bashkuar, të vendosur dhe krenarë për identitetin, gjuhën dhe simbolet e tyre kombëtare”.
Nga KKSH kanë bërë të ditur se lidhur me këtë rast u kanë dërguar shkresë zyrtare institucioneve shtetërore përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Avokatin te Popullit dhe Njësinë e Sigurisë në Ulqin, nga të cilët kanë kërkuar ndërmarrjen e masave ligjore me qëllim që të parandalohet përsëritja e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Ndërkohë që nga LD në MZ kanë njoftuar se me këtë rast i kanë njoftuar, ndër të tjerë, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, Ambasadën e Republikës së Kosovës, Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin etj.
(Kohapress)
