Buxheti 4.03 miliardë euro

Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar të premten (7 shkurt 2025) buxhetin për vitin 2025 si dhe vendimin për huamarrje.
Për buxhetin, e projektuar në shumën prej 4.03 miliardë euro, kanë votuar 46 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa një ka qenë i përmbajtur. Krahas buxhetit ata kanë votuar edhe për vendimin për huamarrje deri në 1.4 miliardë euro për shkak se për nevojat e buxhetit mungojnë 1.14 miliard euro.
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, e ka arsyetuar vendimin për marrjen e borxhit të ri për shkak të mungesës së mjeteve financiare në buxhet dhe shlyerjes së borxheve të mëparshme që kapin shumën rreth 900 milionë euro.
Sipas tij, të ardhurat buxhetore janë planifikuar në shumën 2.89 miliardë euro dhe janë për 102 milionë euro apo 3.7 për qind më të mëdha se vitin e kaluar, ndërsa shpenzimet buxhetore në shumën 4.03 miliardë euro apo për 505 milionë euro më tepër se vitin e kaluar. Prej tyre, për buxhetin kapitaj janë planifikuar 280 milionë euro, që përbën rritje prej 40 milionë euro apo 15 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Në debatin për buxhetin nuk kanë marrë pjesë deputetët e opozitës, shumica e të cilëve janë përjashtuar për 15 ditë nga puna e Kuvendit, me vendim të kryetarit Andrija Mandiq. Që prej fundit të dhjetorit, opozita në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve pengon mbajtjen e seancave parlamentare duke kërkuar anulimin e vendimit për pensionimin e një gjykatëseje të Gjykatës Kushtetuese, që sipas tyre është i paligjshëm. Ata kanë bllokuar edhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi, të planifikuar të mbahet më 21 janar, ku është dashur të shqyrtohet Projektligji për buxhetin e këtij viti.
Për shkak të mosmiratimit të buxhetit në afatin ligjor, pra para fundit të vitit 2024, Mali i Zi hyri në vitin 2025 në financim të përkohshëm.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat