Podgoricë – Zëvendeskryeministri i Malit të Zi, njëherazi edhe kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, u takua të hënën në Podgoricë me përfaqësuesit e partive politike parlamentare të pakicave, kryetarin e Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, nënkryetarin e Forcës së Re Demokratike dhe deputetin e Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu, kryetarin e Partisë Demokratike dhe deputetin e Koalicionit “Bashkë nji za”, Fatmir Gjeka, dhe kryetarin e Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq.
“Kisha kënaqësinë që të ndaj mendime lidhur me situatën aktuale politike me kolegët nga partitë e pakicave”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.
Ai deklaroi se të gjithë bashkë duhet të punojnë për inkluzion më të madh të shoqërisë dhe afirmimit të vlerave evroatlantike.
Nga partitë shqiptare nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me këtë takim.
Gjatë javës në media është publikuar lajmi se partitë shqiptare dhe ajo boshnjake kanë marrë ofertë për të qenë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, e cila pritet të rikonstruktohet.
Paralelisht me propozimin e shumicës qeverisëse për rikonstruktimin e qeverisë, krerët e të gjitha partive opozitare, përfshirë edhe ata të partive të pakicave, kanë mbajtur një takim të përbashkët duke deklaruar se “e vetmja rrugëdalje nga kriza politike është formimi i një qeverie kalimtare me mandat të kufizuar, me detyrën që të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat do të mbroheshin të gjitha vlerat që janë themel i Malit të Zi modern”.
(Kohapress)
