Prishtinë – Ministri i Transportit dhe i Çështjeve Detare, Osman Nurkoviq, dhe homologu i tij Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, kanë biseduar për një sërë temash dhe projektesh bashkëpunimi në infrastrukturën rrugore, ajrore dhe hekurudhore, e që kanë rëndësi për qytetarët e të dyja vendeve, por edhe për lidhjen e korridoreve me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e të dyja vendeve me Evropën.
Ata janë takuar në Prishtinë të hënën gjatë vizitës së ministrit Nurkoviq në Kosovë.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës thuhet se “në këtë takim ministrat e të dyja vendeve kanë biseduar edhe për tunelin Pejë-Rozhajë, projekt ky i cili do ta shkurtojë distancën mes dy vendeve dhe do të lehtësojë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve mike, si dhe për mundësinë e heqjes së sigurimeve kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi si dhe lidhjen hekurudhore mes dy vendeve tona”.
Po ashtu ministrat e të dyja vendeve biseduan edhe për projektin e rrugës Deçan-Plavë, i cili tashmë ka filluar së implementuari në pjesën e Kosovës, kurse ministri Nurkoviq ka dhënë zotime se edhe pala e Malit të Zi do ta vazhdojë këtë projekt nga kufiri deri në Plavë.
Në konferencën për shtyp pas takimit, ministri Nurkoviq ka thënë se projekti më me rëndësi të cilin shpreson se do ta fillojnë shumë shpejt, është projekti madhor i ndërtimit të tunelit Pejë – Rozhajë.
“Për këtë projekt kemi biseduar që një vit e gjysmë dhe kemi arritur që ta kemi përkrahjen e qeverive tona. Pra, ka arritur në nivel të dy kryeministrave tanë dhe shpresojmë që të fillojmë sa më parë”, është shprehur ai.
Temë tjetër, sipas tij, ka qenë projekti i rrugës Deçan-Plavë, si dhe për lidhjen hekurudhore ndërmjet Pejës dhe Rozhajës.
“Ne e kemi kryer projektin ideor për ndërtimin e kësaj pjese dhe do t’ia dorëzojmë këtë plan ideor Qeverisë së Kosovës dhe ministrit Lekaj”, ka theksuar Nurkoviq.
Ai ka konfirmuar se në takimin ndërmjet dy ministrave është biseduar edhe për mundësinë e heqjes së taksës kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.
“Këtë e kemi identifikuar si një barrierë e cila i pengon bizneset dhe besoj që shumë shpejt do ta mënjanojmë, ku edhe për këtë çështje kemi përkrahjen e të dy kryeministrave tanë. Kjo përveç që do ta rriste qarkullimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit, do t’i ngriste në nivel edhe më të lartë marrëdhëniet mes dy shteteve”, ka deklaruar ministri i Transportit dhe i Çështjeve Detare në Qeverinë e Malit të Zi.
Ai ka paralajmëruar se gjatë muajit korrik të këtij viti do të nënshkruhet marrëveshja në fushën e transportit ndërmjet dy ministrive të Malit të Zi dhe Kosovës.
Ministri i Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, ka theksuar po ashtu se kanë biseduar për tri çështje me rëndësi që do të ndikojnë në lidhjen e korridoreve dhe në lidhjen hapësinore.
“Ajo që ne u dakorduam sot është që ne të zhvillojmë infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe heqjen e taksës kufitare”, është shprehur ai.
Lekaj ka bërë të ditur se sa i përket tunelit Pejë –Rozhajë “po punohet studimi i fizibilitetit me intensitet të shtuar dhe nuk do të mbetet vetëm në fjalë, por do të implementohet me përpikëri”.
Ai e ka falënderuar ministrin Nurkoviq për garancinë e dhënë se rrugën Deçan- Plavë, Mali i Zi do ta zhvillojë si projekt në domenin e përgjegjësive që i ka.
Ministrat Lekaj dhe Nurkoviq, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, kanë vizituar urën që po ndërtohet në autoudhën “Arbën Xhaferi”, e cila është një nga urat më të gjata në rajon dhe një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në Kosovë.
Vizita e ministrit Osman Nurkoviq në Kosovës është vazhdimësi e takimeve dhe qëndrimeve të harmonizuara që dy ministrat i kanë patur edhe në samitet ndërkombëtare, që janë mbajtur në Bruksel, Sofje, Lubjanë dhe takime të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. (Kohapress)
