Presidenti i Malit të Zi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, ka paralajmëruar kryeministrin Dritan Abazoviq se mund ta rrëzojë qeverinë e tij të pakicës, nëse nënshkruan Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Gjukanoviq, duke folur për tekstin e marrëveshjes, ka thënë se ajo përmban pjesë që “falsifikojnë historinë e Malit të Zi”.
Ai ka thënë se marrëveshja do të ishte e pranueshme për nënshkrim nëse nuk do të kishte interpretime të historisë.
Presidenti Gjukanoviq ka thënë se inicimin e rrëzimit të Qeverisë Abazoviq do ta bëjë, nëse jetësohet marrëveshja.
Në një intervistë për N1, ai ka deklaruar se paralajmërimet për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, nuk kanë qenë befasi për të.
“Z. Abazoviq vendosi krejt papritur të riformulojë prioritetet e agjendës së qeverisë, në mënyrë që në vend të përmbushjes së kapitujve 23 dhe 24 të negociatave, të vinte në plan të parë nënshkrimin e kontratave për çështje me interes të përbashkët për Qeverinë e Malit të Zi dhe Kishën Serbe. Ai vendosi të mos pranojë një proces më gjithëpërfshirës para se qeveria të marrë një vendim… Gjithçka që është bërë në atë plan është bërë shumë ngathët”, ka thënë Gjukanoviq.
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar ditë më parë tekstin e marrëveshjes themelore me KOS-in, e cila ka shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike pro pavarësisë së Malit të Zi, Akademia e Shkencave e Malit të Zi, organizatat joqeveritare, grupimet qytetare etj. Përpjekja për krijimin e një grupi të ekspertëve që do të shqyrtonin tekstin e marrëveshjes ka dështuar.
Kryeministri i Malit të Zi ka paralajmëruar nënshkrimin e marrëveshjes në javën e parë apo të dytë të muajit gusht.
PDS në opozitë është forca më e madhe politike që mbështet qeverinë e pakicës së kryeministrit Abazoviq. Ndërprerja e mbështetjes së qeverisë do ta fuste Malin e Zi në një krizë politike të thellë.
(Kohapress)
