Kryetari i Malit të Zi, Jakov Millatoviq ka dekretuar Bernard Çobajn ambasador të plotfuqishëm dhe fuqiplotë të Malit të Zi në Kosovë.
Nga kabineti i kryetarit të Malit të Zi kanë deklaruar se emërimi i ambasadorit në Kosovë do t’i kontribuojë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe të Malit të Zi me Kosovën, bashkëpunimit të mirë fqinjësor si dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Çobaj është emëruar me propozim të Qeverisë së Malit të Zi dhe pas marrjes së mendimit pozitiv nga Këshilli për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë i Kuvendit të Malit të Zi, ku ka fituar mbështetjen e gjashtë deputetëve, ndërsa dy deputetë të partive proserbe nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Velimir Gjokoviq dhe Jelena Klajeviq, të cilët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kanë votuar kundër.
Mali i Zi nuk ka pasur ambasador në Prishtinë që prej vitit 2020, kur ambasadori i mëparshëm Ferhat Dinosha u largua nga posti i tij për shkak se kishte plotësuar kushtet për pensionim.
Ambasadori i ri i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, është diplomat karriere. Ai ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme për Diplomaci Kulturore dhe Ekonomike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ndërsa deri së fundi ishte i ngarkuar me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë. Më herët ka punuar për shumë vjet në Ambasadën e SHBA-së në Podgoricë, ku ka mbuluar çështjet e medias, kulturës, arsimit dhe të pakicave. Ai ka punuar për shumë organizata civile lokale dhe ndërkombëtare, përfshirë mediat e shkruara në gjuhën shqipe. Studimet i ka ndjekur në Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Malit të Zi dhe në Universitetin Jonkoping në Suedi. Po ashtu ka ndjekur trajnime të ndryshme në Uashington, Strasburg, Vjenë, Paris, Afrikën e Jugut dhe në tërë rajonin.
Bashkë me ambasadorin e ri të Malit të Zi në Kosovë, kryetari i Malit të Zi Jakov Millatoviq ka dekretuar Nebojsha Gjokoviqin ambasador të ri të Malit të Zi në Serbi, ku Mali i Zi po ashtu nuk kishte ambasador që prej vitit 2020, kur ambasadori i atëhershëm Tarzan Milosheviq u largua nga posti pas ndryshimit të pushtetit në Malin e Zi.
(Kohapress)