“Berlin Plus”, iniciativa e re gjermane për Ballkanin

Gjermania ka bërë gati një plan të veçantë për Ballkanin Perëndimor, që do të ishte kompensim për pritjen e gjatë të hyrjes në Bashkimin Europian.
Berlini ka përgatitur një mini “Plan Marshall” për Ballkanin, i cili gjatë disa viteve të ardhshme do të duhej të mëkëmbë ekonomitë e rajonit dhe ai plan së shpejti do të dalë para Këshillit të Evropës në Bruksel, i cili duhet ta lejojë dhe të përcaktojë fondin e posaçëm për shtetet ballkanike.
Ky plan është pagëzuar “Berlini plus”, ndërsa paratë për realizimin e tij do të duhej t’i siguronin, ndër të tjera, Zona Ekonomike Evropiane (EEA), që e përbëjnë vendet anëtare të BE-së, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, si dhe Asociacioni Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), në të cilin bashkë me shtetet e tjera bën pjesë edhe Zvicra.
Shuma që do të mblidhej ende nuk dihet. Por ideja synon që brenda disa vitesh rajoni ynë të shndërrohet në një hapësirë atraktive ekonomike.
Ndër të tjera, qëllim i këtij plani është ndërlidhja e Ballkanit Perëndimor me infrastrukturë, siç janë autostradat që do të lidhnin Serbinë me Bosnjë e Hercegovinën, ose Beogradin me Tiranën e Prishtinën.
Bashkimi Evropian në këtë mënyrë do të fitonte punëtorë të aftësuar dhe një rajon në pikëpamje teknologjike të gatshëm, por qëllim është që përmes rritjes së nivelit të jetesës Ballkani Perëndimor t’u afrohet partnerëve perëndimorë.
Qëllim i fortë për aktivizimin e “Berlin-it plus” është edhe ulja e tensioneve në rajon.
Ballkani Perëndimor ka rëndësi të madhe për sigurinë e Gjermanisë.
Idenë për “Planin Marshall” për Ballkanin Perëndimore e ka konfirmuar Dr. Christian Hellbach, koordinator i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Ai ka thënë se nuk ka asnjë partner në rajon, që bën më shumë për rajonin sesa BE-ja dhe Gjermania në planin bilateral.
“Ne e mbështesim Ballkanin politikisht, financiarisht dhe me transferimin e dijes. Pa harruar investimet dhe tregtinë. Nga ana ekonomike, Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës prej kohësh. Iniciativa ‘Berlin Plus’ do të zgjerojë mbështetjen e deritanishme. Ne duam bashkëpunim rajonal, me qëllim që të lehtësohet anëtarësimi i mëvonshëm i rajonit: përmes intensifikimit të mbështetjes për reformat e transformimit në shtete ligjore demokratike. Në të njëjtën kohë do të forcohet edhe bashkëpunimi rajonal”, është shprehur Hellbach.
Rast për të bërë diçka më konkretisht për “Berlin Plus” do të jetë mesi i muajit të ardhshëm, kur në Trieste të Italisë do të mbahet samiti vjetor i përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit.  (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat