Tuz – Drejtuesit e tri subjekteve politike shqiptare: Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, dhe Unionit Nacional Shqiptar, firomosën të enjtën, më 17 nëntor në Tuz dy marrëveshje për koalicion parazgjedhor.
Siç njoftohet në kumtesën e përbashkët për opinion të këtyre tri subjekteve politike, marrëveshjen për koalicion parazgjedhor në Komunën e Tuzit e firmosën tre udhëheqësit lokal të këtyre partive: “Për ASH-në z. Lindon Gjelaj, për LDSH-në z. Ivan Ivanaj dhe për UNSH-në z. Fadil Kajoshaj”.
Ndërkaq, marrëveshjen për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare (kurdo që ato të ndodhin), e firmosën krerët e këtyre tri partive Nik Gjeloshaj, Nikollë Camaj dhe Ferhat Dinosha.
Sipas kumtesës së përbashkët, u theksua se nisur nga imperativi i zhvillimit të qëndrueshëm të Komunës së Tuzit kjo marrëveshje është firmosur me qëllim të mbrojtjes së interesit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi, përmes veprimit të partive politike shqiptare.
Sipas nënshkruesve të këtyre dy marrëveshjeve aty janë përfshirë: “Të gjithë parametrat për qeverisje stabile e kompetente lokale, duke respektuar forcën politike të secilit nga subjektet nënshkruese, por duke pasur në plan të parë vazhdimin e bashkëpunimit brenda Forumit Shqiptar, në të mirë të zhvillimit të hovshëm, që tashmë vërehet në të gjitha pjesët e Malësisë”.
Më tutje, theksohet se krerët e këtyre tri subjekteve politike shqiptare, e kanë parë të udhës që pikërisht në momentin e krizës politike në Mal të Zi, partitë shqiptare të jenë sa më të bashkuara e me sa më shumë mandate “për të mbrojtur jo vetëm interesin e shqiptarëve, por edhe të arriturat në proceset e deritashme demokratike në Mal të Zi, sidomos anëtarësimin e tij në NATO, rrugën për në BE dhe marrëdhëniet e mira me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Kosovës”.
Nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje janë dakorduar që politikave proruse që janë të pranishme në Mal të Zi, siç kanë thënë t’u ngushtohet hapësira e veprimit sa më shumë që të jetë e mundur në bashkëpunim me forcat properëndimore.
“ASH, LDSH dhe UNSH i kanë dyert e hapura për ato parti shqiptare të cilat dëshirojnë t’u bashkohen në cilindo nivel të koalicionit”, përfundon kumtesa e përbashkët për opinion e këtyre tri subjekteve politike shqiptare.
t. u.
