Ulqin – Me një ceremoni modeste dhe në prani të një numri të kufizuar të pjesëmarrësve, kryesisht zyrtarë të Komunës së Ulqinit, këshilltarë të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, deputetë dhe përfaqësues të partive politike dhe mediave, të shtunën u shënua Dita e Komunës së Ulqinit.
Pas intonimit të himnit të Malit të Zi, të pranishmit në Kuvendin solemn mbajtën një minutë heshtjeje në nderim të viktimave të COVID-19 nga Ulqini dhe tërë Mali i Zi.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, ka thënë në fjalën e tij se kanë vendosur për këtë shënim të thjeshtë të Ditës së Komunës së Ulqinit për shkaqe të njohura për të gjithë.
“Si bashkëqytetar dhe mik, ndiej dhimbje për të vdekurit të cilët e kanë humbur luftën me koronavirusin. Jetët e tyre nuk mund t’i zëvendësojë asgjë, por ata na obligojnë që të punojmë së bashku dhe në mënyrë të disiplinuar derisa ta kthejmë jetën në normalitet”, ka thënë ndër të tjera ai.
Daboviq ka përkujtuar se “përgjatë shekujve Ulqini ka mbijetuar dhe është ballafaquar me shumë sfida, prandaj bashkërisht duhet ta tejkalojmë edhe këtë”.
Ai ka thënë se qytetarët e Ulqinit duhet të ndjehen krenarë që jetojnë në këtë qytet.
Në emër të Komunës së Ulqinit, Daboviq i ka dorëzuar një dhuratë simbolike ish-kryetarit të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, i cili është pensionuar pak kohë më parë.
Edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Haxhi Sulejmani, në fjalën e tij është përqendruar në vështirësitë që po kalon Ulqini që prej më shumë se një viti për shkak të pandemisë së COVID-19.
“Nga e shtuna e parë e prillit të vitit të kaluar deri të shtunën e parë të prillit të këtij viti bota ka kaluar një ndër vitet më të rënda, edhe Ulqini po ashtu. Kemi humbur shumë familjarë e kushërinj, miq e shokë, ndaj ky vit mban emrat e atyre që s’janë më në mesin tonë, por në fakt janë më shumë se kurrë në mendjet dhe zemrat tona”, ka thënë ai.
Sulejmani ka falënderuar personelin mjekësor dhe diasporën për kontributin në përballimin e situatës epidemiologjike.
“Nderime të gjithë mjekëve dhe infermierëve tanë që stoikisht qëndruan në mbrojtjen e jetëve tona. Nderim në veçanti mërgimtarëve tanë që na qëndruan pranë si gjithmonë”, ka theksuar ai, duke shpresuar që Ulqini dhe e gjithë bota do ta përmbyllë kohën e mbrapshtë të koronavirusit.
Gjatë ceremonisë janë lexuar apo shfaqur nëpërmjet video prezantimit mesazhet e urimit që me rastin e Ditës së Komunës së Ulqinit i kanë dërguar personalitetet më të larta shtetërore të Malit të Zi, kryetarët e disa komunave në Mal të Zi dhe të bashkive të rajonit.
Ky është viti i dytë që Dita e Komunës së Ulqinit pritet në kushtet e pandemisë së COVID-19.
i. k.
