Bashkëpunimi mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi do të vazhdojë

Tetovë – Një delegacion i Forcës së Re Demokratike, i kryesuar nga kryetari i kësaj partie Nazif Cungu, është pritur të premten në Tetovë nga Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni dhe pjesë e koalicionit qeverisës në këtë vend.
Pas takimit, kryetarët e dy partive kanë thënë se takimi ka qenë i frytshëm dhe se ata kanë diskutuar për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me dy vendet, si në aspektin e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe politikës.
“Kam mësuar shumë mbi rrjedhat, mbi zhvillimet në Mal të Zi, me ç’rast z. Cungu, kryetar i Ulqinit, do ketë mbështetjen e plotë në të gjitha iniciativat, veprimtaritë si kryetar komune për bashkëpunim me ne shqiptarët e Maqedonisë si në fushën e kulturës, arsimit, por edhe në zhvillimet politike. Sigurisht që edhe z. Cungu do të ndikojë me autoritetin e tij tek autoritetet më të larta të Malit të Zi, pasi tani Mali i Zi ka një përparësi nga ne sepse veç është anëtar i NATO-s, që do të inkurajojë autoritetet andej, që të kemi një përkrahje edhe më të gjerë, që edhe ne të bëhemi pjesë e NATO-s”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga ana tjetër, kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, njëherazi kryetar i Komunës së Ulqinit, ka thënë se bashkëpunimi mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe atyre të Malit të Zi nuk ka munguar dhe do vazhdojë edhe më tej.
“Në rend të parë është bashkëpunimi i shqiptarëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve të Malit të Zi. Ne kemi nevojë për një bashkëpunim, pasi ju edhe në numër jeni shumë më tepër, mendoj në të gjitha sferat, si në sferën e kulturës, arsimit, normalisht dhe të sportit. Gjithashtu janë edhe temat që nuk mund të anashkalohen, siç janë integrimet që jemi më se të interesuar jo vetëm ne, por edhe shqiptarët e Maqedonisë”, ka thënë ai.
Edhe Ahmeti edhe Cungu ishin të të njëjtit mendim se edhe Maqedonia edhe Mali i Zi duhet të punojnë së bashku që në të ardhmen e afërt të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Në këtë takim, Cungu shoqërohej nga nënkryetari i Forcës së Re Demokratike, Faik Nika, dhe funksionarët e kësaj partie, Gëzim Haxhibeti dhe Nazmir Sula.   (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat