Bashkëpunimi duhet avancuar

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, dhe bashkëpunëtoret e tij pritën të premten delegacionin e Komunës së Deçanit, të kryesuar nga kryetari i saj Bashkim Ramosaj. Komuna e Ulqinit ka vite që është binjakëzuar me Komunën e Deçanit dhe urat e bashkëpunimit janë vënë në disa sektorë.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se edhe në këtë takim palët u pajtuan që ky bashkëpunim duhet avancuar, veçmas në sektorët siç është turizmi veror respektivisht ai dimëror, në shkëmbimin e përvojave, por vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Po ashtu në takim u tha se ka vend për bashkëpunim në hartimin e projekteve të përbashkëta që mbështeten nga Bashkimi Evropian.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, ka konfirmuar vullnetin e mirë për të forcuar më tej lidhjet ndërmjet dy komunave.
“Ne jemi një trup, i cili funksionon në atë mënyrë edhe do të vazhdojmë këtë funksionim edhe më tepër në të ardhmen”, ka deklaruar ai për RTK-në.
Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë për RTK-në se bashkëpunimi në intensifikimin e promovimit kulturor, turizmit dhe forcimi i shkëmbimit ekonomik, duhet të jenë prioritetet e këtij bashkëpunimi në mes dy komunave të binjakëzuara.
Në takim është folur edhe për projekte madhore, siç është ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, i cili është thënë se mbetet prioritet në nivel të dy shteteve.
Gjatë vizitës së tij në Ulqin, pjesëtarët e delegacionit të Komunës së Deçanit, të shoqëruar nga zyrtarët e Komunës së Ulqinit vizituan objektet e rëndësishme kulturore në Ulqin.
Vizita kthyese e delegacionit të Komunës së Ulqinit, të kryesuar nga kryetari i saj Nrekiq, do të zhvillohet të premten, më 20 korrik, me rastin e Panairit tradicional në Deçan. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat