Bashkëpunim për një administratë publike efikase dhe më ekonomike

Ulqin – Ministri i Administratës Publike në mandatin teknik, Marash Dukaj, ka zhvilluar të hënën një vizitë pune në Komunën e Ulqinit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Omer Bajraktari, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Administratës Publike thuhet se Dukaj dhe Bajraktari kanë biseduar për tema të shumta që lidhen me funksionimin e Komunës së Ulqinit, projektet aktuale, reformën e administratës publike në të gjitha nivelet, me theks të posaçëm në reformën e vetëqeverisjes lokale si dhe modalitetet për avancimin e bashkëpunimit.
Ministri Dukaj ka thënë se janë plotësisht të përkushtuar ndaj procesit të decentralizimit të sistemit në Mal të Zi e bashkë me këtë edhe ndaj forcimit të rolit të njësive të vetëqeverisjes lokale në procesin e reformës së administratës publike në nivel lokal, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, por edhe rregullimin e sistemit të menaxhimit në të gjitha fushat e punës së tyre.
“Në këtë kuptim, jemi duke realizuar aktivitete në fushën e përmirësimit të kuadrit ligjor, sigurisë kibernetike, digjitalizimit dhe e-shërbimeve, rreth të cilave mund të mblidhemi së bashku në mënyrë që në bashkëpunim ekipor t’i zgjidhim sfidat e shumta”, ka theksuar ai.
Dukaj ka thënë se Ministria e Administratës Publike do të mbështesë plotësisht zhvillimin e mëtejshëm të vetëqeverisjeve lokale me qëllim të ofrimit efikas të shërbimeve për qytetarët dhe ka nënvizuar rëndësinë e vendosjes së bashkëpunimit në fushën e administratës elektronike me qëllim të krijimit të një administrate publike efikase dhe më ekonomike.
Ai i ka nxitur përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit që të përcjellin dhe marrin pjesë aktivisht në programet e Ministrisë së Administratës Publike.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, e ka njoftuar ministrin Dukaj me riorganizimin e sekretariateve dhe shërbimeve të Komunës së Ulqinit, që sipas tij, tashmë po tregon rezultate të dukshme.
“Ky është riorganizimi i parë serioz pas disa dekadash, i cili ishte i nevojshëm për t’u përgjigjur nevojave aktuale dhe moderne të shoqërisë”, ka theksuar ai.
Bajrakatari ka potencuar se “Komuna e Ulqinit përpiqet për digjitalizim më të madh të shërbimeve publike, forcimin e mëtejmë të kapaciteteve njerëzore dhe profesionalizimin e administratës lokale dhe se në këtë drejtim pret ndihmë dhe përkrahje nga Ministria”.
Në takim kanë marrë pjesë edhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Administratës Publike, Dragisha Janjusheviq, dhe shefja e kabinetit të ministrit, Milica Pajoviq, kurse nga Komuna e Ulqinit, kryetari i Kuvendit, Ardijan Mavriq, nënkryetarët e Komunës Sabri Salaj e Beqir Sellaj, dhe kryeadministratori Naser Resulbegoviq.
Po të hënën, ministri Dukaj ka vizituar edhe Komunën e Tivarit, ku është pritur nga kryetari i saj Dushan Raiçeviq me bashkëpunëtorë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat