Barnet: Shqiptarët vazhdimisht kontribuojnë në gjallërinë e komunitetit tim

Tuz – Zyrtarë të shumtë të Komunës së Tuzit, pritën të hënën kryebashkiakun e Roçester Hills të Miçiganit, Brajan K. Barnet i cili po qëndron në Tuz për një vizitë zyrtare me rastin e 28 Nëntorit.
Gjatë kësaj vizite, atij iu bë një prezantim i shkurtër në lidhje me funksionimin e organeve të kësaj komune, për të vazhduar më pas me vizita nëpër shërbimet publike, klube sportive e institucione të tjera të cilat i ka themeluar Komuna e Tuzit.
Në emër të Komunës së Tuzit, kryebashkiakun Barnet dhe të pranishmit i përshëndeti kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, i cili shpalosi në pika të shkurtra punën e këtij institucioni përgjatë viteve të fundit.
“Më në fund mund të themi se sot jemi zot shtëpie në shtëpinë tonë. Ndryshimet për të mirë që po i përjeton sot Komuna e Tuzit në çdo fushë të veprimtarisë, ishin të pakonceptueshme vetëm disa vjet më përpara kur edhe përkundër analizave dhe fakteve të shumta, provonin të na bindnin se kjo komunë nuk ka resurse, qëndrueshmëri ekonomike e të tjera, duke na përcaktuar edhe planin financiar si lëmoshë e kryeqytetit. Sot pas 3 vitesh, pasi ne e morëm përgjegjësinë për menaxhimin e vetvetes pranë komunës sonë, buxhetin e kemi rritur për 400 % dhe po e realizojmë pa problem”, tha ndër të tjera Kaloshaj.
Ai shtoi se këto suksese do të ishin shumë më të vogla pa përkrahjen e pakursyer të diasporës sonë, para së gjithash, të asaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Falë veprimtarisë të së cilës sot mburremi me binjakizimin tonë me Roçester Hills dhe me një marrëdhënie që shkon përtej vizitave të kurtoazisë të dy kryetarëve”, vlerësoi Kajoshaj.
Ndërkohë kryebashkiaku i Roçester Hills, Brajan K. Barnet në sallën e Kuvendit ndau disa fjalë mirënjohëse dhe falënderuese për mikpritjen që i bëhet në Malësi, por edhe për arritjet e komunitetit shqiptar në Miçigan.
“Faleminderit që gjithmonë i hapni zemrat dhe shtëpitë tuaja për mua. Në Miçigan ne jemi një komunitet i fortë më së shumti në saje të shqiptarëve të mrekullueshëm të cilët e quajnë Roçester Hills-in “shtëpi”. Ata janë mësimdhënës në shkolla, janë pronarë biznesesh, janë bankierë, janë avokatë, janë pronarë restorantesh. Shqiptarët janë njerëz jashtëzakonisht bujarë e që vazhdimisht kontribuojnë në gjallërinë e komunitetit tim. Kjo është edhe arsyeja pse unë jam shumë mirënjohës e që vij këtu të takoj të gjithë ju, të afërmit e atyre shqiptarëve e t’ju falënderoj për miqësinë gjatë viteve. Kur u bëra major në vitin 2006 unë kisha zero miq shqiptarë, tani unë kam me qindra të tillë, dhe disa nga miqtë e mi më të afërt janë shqiptarë”, theksoi kryebashkiaku Barnet gjatë fjalës së tij.
Kjo vizitë ishte planifikuar të bëhej më herët por për shkak të situatës pandemike të Kovid-19 nuk është mundur të realizohet.
Rikujtojmë se binjakëzimi i Komunës së Tuzit dhe Komunës së Roçester Hills u bë në vitin 2006, ku një vit më vonë, kryetari i kësaj bashkie, Brajan K. Barnet e vizitoi Tuzin, ndërsa kjo është vizita e tij e dytë në Malësi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat