Tuz – Pas paralajmërimit të mbylljes së barnatores së vetme shtetërore “Montefarm” në Tuz, një grup i vogël qytetarësh organizoi të mërkurën, më 9 korrik 2025, një protestë paqësore para objektit të saj, duke shprehur shqetësimin për situatën e krijuar dhe pasojat që kjo sjell për komunitetin.
Njëri ndër qytetarët protestues, Xhevdet Dizdareviq, i tha gazetës “Koha javore” se kjo nuk është vështirësia e parë që i ka prekur si qytetarë, mirëpo kur bëhet fjalë për një çështje jetike siç është barnatorja, ai tha se kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe.
“Dua vetëm t’ju them se sot në mëngjes jam paraqitur këtu me dhjetë receta mjekësore, ku zakonisht deri më tani kam gjetur çdo ilaç që më është dashur, kurse sot gjeta vetëm një, për shkak se është paralajmëruar mbyllja e barnatores dhe se nuk është porositur furnizimi për më tej”, shprehet ai.
Përmes kësaj interviste, Dizdareviq, në lidhje me shërbimet shëndetësore në vend i drejtoi një pyetje publike ministrit të Shëndetësisë Shimun, se “pse është larguar
pajisja e ultrazërit nga Shtëpia e Shëndetit në Tuz, i cili ka qenë donacion i TIKA-s”.
“Ne tani detyrohemi të shkojmë në komuna të tjera që të kryejmë grafi. Gjithashtu do të pyesja se pse kemi vetëm një doktor pediatër i cili punon vetëm katër orë, dhe nuk e kemi turnin e dytë dhe natyrisht duhet të shkojmë në Podgoricë. Dhe së fundmi, pse kemi vetëm dy mjekë të përgjithshëm në njëzet mijë banorë”, u shpreh ai.
Sipas tij, mbyllja e kësaj barnatoreje do të krijonte vështirësi të dukshme, si kohore ashtu edhe financiare, pasi banorët do të detyroheshin që nevojat e tyre shëndetësore t’i realizonin jashtë komunës së tyre.
Ndërkaq, Fran Lulgjuraj, një protestues tjetër dhe përdorues prej dekadash i kësaj barnatoreje, tha se vendimi për mbylljen e saj do të ishte zgjidhja më e keqe.
“Duhet të gjendet një lokalitet tjetër, të hapet një barnatore e re shtetërore, por e gjithë kjo kërkon kohë dhe shkon në dëm të qytetarëve, përkatësisht pacientëve. Duket se as punëtorët/et, e as Komuna e Tuzit nuk ka qenë në dijeni se do të mbyllet kjo barnatore dhe do të shërbejë për nevoja të tjera”, u shpreh Lulgjuraj.
Ai theksoi se në botën e qytetëruar dhe me traditë në ndërtimin e objekteve shëndetësore, barnatoret vendosen në afërsi të institucioneve shëndetësore – siç ka qenë edhe rasti me Tuzin.
“Zgjidhja e këtij problemi duhet të gjendet në bisedimet e organeve kompetente, në krye me Komunën e Tuzit, Ministrinë e Shëndetësisë, që të shtrojnë tryezë bisedimesh për të diskutuar nevojat e qytetarëve dhe falë vullnetit të mirë mendoj se do të gjendet një zgjidhje në interes dhe e vetmja zgjidhje me interes është që barnatorja shtetërore të mbetet në të njëjtin lokalitet”, përfundon Lulgjuraj.
Nga ana tjetër, Hysein Gjokaj, gjithashtu protestues në tubim, për gazetën “Koha javore” tha se qytetarët nuk mund t’i gjejnë ilaçet që kanë marrë këtu në barnatore të tjera private, dhe kjo për ta do të përbënte një barrë të rëndë.
“Unë besoj se do gjendet një zgjidhje. Sepse prindërit tanë të moshuar do të detyrohen të shkojnë në Podgoricë në këto ditë të nxehta”, shprehet ai.
Gjokaj shtoi se kjo situatë ka qenë e mundur të parandalohej pasi komuniteti ka përfaqësues në nivel të pushtetit qendror.
“Dhe jo vetëm të japin deklarata, por dhe të jenë këtu prezentë në këtë protestë, e këtu nuk ishin. Ata duhet t’u japin qytetarëve zgjidhje dhe ndihmë, sepse të shkruash një deklaratë pas tastierës është shumë lehtë, por duhet të jenë krahas qytetarëve për të dëgjuar problemet”, u shpreh ai.
Gjokaj beson se nuk do të vijë deri te mbyllja e barnatores, por nëse kjo ndodh, tha ai, është e domosdoshme të gjendet një tjetër hapësirë dhe sa më shpejt për të pasur qasje dhe shërbim si qytetarë në barnatoren shtetërore.
Në këtë protestë u paraqitën pankarta me mbishkrime si: “Na e lini barnatoren shtetërore”, “Shëndeti nuk është biznes” dhe “E drejta për ilaçe për të gjithë”.
Vetëm një ditë pas protestës qytetare në Tuz kundër paralajmërimit për mbylljen e barnatores publike “Montefarm”, ministri i Shëndetësisë Vojisllav Shimun bëri të ditur përmes një deklarate, të dhënë më 10 korrik 2025, se barnatorja në Tuz nuk do të mbyllet dhe do të vazhdojë punën në të njëjtin lokacion, duke mbetur në shërbim të qytetarëve, ashtu si deri më tani.
Siç duket, protesta e zhvilluar dhe reagimet publike të zyrtarëve vendorë dhe qytetarëve kanë ndikuar që ky paralajmërim të mos konkretizohet, çka do të kishte kufizuar më tej qasjen e banorëve të Tuzit në shërbimet farmaceutike publike.
t. u.
