Në Mal të Zi ka gjashtë këshilla kombëtarë dhe ata do të duhej të ishin “qeveri e popujve pakicë në Mal të Zi”, ka konsideruar Fikret Lulanaj nga Drejtoria për Avancimin e të Drejtave të Njeriut, pranë Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Ai, duke marrë pjesë në konferencën “Si arrihet deri te pjesëmarrja efektive e popujve pakicë dhe e bashkësive të tjera nacionale të pakicave në sistemin e vendimmarrjes” ka thënë se, që të kemi një shoqëri demokratike me kapacitet të plotë, është e domosdoshme që popujt pakicë dhe të bashkësive të tjera nacionale të pakicave të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes.
Ndërkaq, z. Lulanaj ka thënë se pjesëmarrja ose përfaqësimi i pjesëtarëve të pakicave në jetën politike dhe publike në Malin e Zi, e ka pikëmbështetjen në legjislacionin ekzistues.
“Kushtetuta e Malit të Zi në Nenin 79 garanton përfaqësim autentik të pjesëtarëve të pakicave në Kuvendin e Malit të Zi dhe të kuvendeve të vetëqeverisjeve lokale, ku pakicat përbëjnë numër të konsiderueshëm ose më të madh të popullsisë, derisa me Ligjin mbi emërimin e këshilltarëve dhe deputetëve në një mënyrë më të afërt është e definuar garancia kushtetuese e popujve pakicë dhe e bashkësive të tjera nacionale pakicë për përfaqësi autentike në Kuvendin e Malit të Zi” ka theksuar Lulanaj, njoftohet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
t. u.