Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të hënën në Durrës të Shqipërisë për Samitin rajonal Bërdo-Brioni, duke zhvilluar bisedime për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.
Tema e samitit të sivjetshëm ishte “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.
Takimi u përqendrua në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.
Samiti u zhvillua në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, u trajtuan edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.
Duke folur në hapje të seancës plenare të këtij tubimi, presidenti i Shqipërisë si mikpritës i ngjarjes, Bajram Begaj, tha se Tirana e mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian.
“Për ne, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE. Duhet të vazhdojmë t’i shkëmbejnë përvojat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Bërdo-Brionit”, ka thënë ai.
Ky samit gjithashtu i solli presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq përballë për herë të parë pas një shkëmbimi akuzash ndaj njëri-tjetrit kohëve të fundit në lidhje me sigurinë në rajon.
Presidentja e Kosovës e akuzoi presidentin e Serbisë se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha për mediat se gjatë takimit në Durrës kishte pasur përplasje me Osmanin kur u diskutua për integritetin territorial, që sipas tij, çdokush e interpreton siç do.
Samiti u organizua nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit, nën udhëheqjen e presidentit shqiptar Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.
Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
(Kohapress/REL)
