Ulqin – Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Millutin Simoviq, ka zhvilluar të hënën një vizitë zyrtare në Ulqin, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Nazif Cungu me bashkëpunëtorët e tij.
Sipas deklaratës për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit, në takimin e punës u analizuan aktivitetet e përbashkëta dhe u morën vesh për investime të reja, thithje fondesh etj. në interes të komunës së Ulqinit.
Sipas nënkryetarit të Qeverisë së Malit të Zi, komuna e Ulqinit do të ketë përkrahjen e plotë në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme nga lëmi i bujqësisë, ekonomisë së ujërave etj.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe bashkëpunëtorët e tij, në shoqërinë e zyrtarëve të komunës së Ulqinit, vizituan më pas disa objekte ku punimet janë në përfundim e sipër, siç është tregu i peshkut, projekt që realizohet në partneritet ndërmjet Komunës së Ulqinit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze, me një vlerë të përgjithshme mbi 40 mijë euro. Me realizimin e këtij projekti Ulqini do të pajiset me një treg modern për shitjen e peshkut konform standarteve evropiane.
Pas kësaj ministri Simoviq vizitoi Kanalin Port Milena, që përbën një problem të kahmotshëm ekologjik për qytetin e Ulqinit, ku pritet që të rregullohet çështja e ndotjes me një investim në vlerë prej 450 mijë euro, të siguruara nga Agjencia TIKA. Në komunën e Ulqinit e vlerësojnë këtë projekt të një rëndësie të veçantë për peshkimin dhe peshkatarët e Ulqinit, por sidomos për turizmin.
Mysafirët vizituan edhe degën e djathtë të Lumit Buna, ku po zhvillohen punimet në zgjerimin e shtratit të Bunës pas mbylljes së grykëderdhjes së saj. Drejtoria e Ujërave ka zgjedhur kompaninë “Cijevna komerc” si ofertuesin më të mirë për kryerjen e punimeve me vlerë prej 400 mijë euro për thellimin dhe zgjerimin e lumit Buna. Ndërkaq nga Komuna e Ulqinit theksojnë se kjo kompani do të të jetë e angazhuar në mirëmbajtjen e shtratit të Bunës edhe vitin e ardhshëm.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se probleme të kësaj natyre në Lumin Buna nuk duhet që të përsëriten në të ardhmen.
Në fund të vizitës, në Shas është nënshkruar marrëveshja për dhënien me qira kompanisë “Voli” të tokës bujqësore me sipërfaqe prej 69 hektarësh, në afat prej 15 vitesh.
Nga Komuna e Ulqinit theksojnë se iniciativën për realizimin e këtij projekti e ka ndërmarrë Komuna e Ulqinit bazuar në interesimin e investitorëve dhe se shpresojnë që në këtë mënyrë do të valorizohet toka bujqësore në territorin e Komunës së Ulqinit.
Cungu ka thënë se ndjen kënaqësi kur investohet në bujqësi, ndërkohë që nga Komuna e Ulqinit presin që kompania “Voli” të kontribuojë në zvogëlimin e importit të prodhimeve bujqësore e në të ardhmen që produktet e prodhuara në territorin e Ulqinit të eksportohen në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian. (Kohapress)