Aleatët e NATO-s e kanë emëruar të mërkurën (26 qershor 2024) kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s, njoftoi kjo aleancë ushtarake.
Emërimi i Ruttes u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.
“Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun”, ka thënë NATO-ja në një komunikatë.
“Rutte do ta marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenberg”, thuhet në komunikatë.
Pasi shfaqi interesim për këtë post vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershme nga anëtarët kyçë të Aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë. Të tjerët ishin më të rezervuar, posaçërisht vendet e Evropës Lindore që argumentuan se ky post duhet të mbahet nga dikush prej rajonit të tyre për herë të parë.
Megjithatë, ata në fund e mbështetën Rutten, i cili është një kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe aleat i patundur i Ukrainës. Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Rutten një lider “të fuqishëm transatlantik”.
“E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme”, ka thënë Stoltenberg.
NATO-ja merr vendime me bashkëpajtim, prandaj Rutte, i cili po largohet nga politika në Holandë pas gati 14 vjetësh, mund të konfirmohej vetëm pasi ta fitonte mbështetjen e të gjitha 32 vendeve anëtare. Rutte do të përballet me sfidën për ta ruajtur mbështetjen e aleatëve për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, duke e siguruar njëkohësisht që NATO-ja të mos zhytet në luftë me Moskën.
Në një reagim në platformën X pas emërimit të tij Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte ka thënë se është një nder i jashtëzakonshëm emërimi në këtë post.
“Aleanca është dhe do të mbetet gur themeli i sigurisë sonë kolektive. Udhëheqja e kësaj organizate është një përgjegjësi që nuk e marr si të lehtë. Unë u jam mirënjohës të gjithë aleatëve për besimin e tyre tek unë. Pres me padurim të marr pozicionin me energji të madhe në tetor, si pasardhës i Jens Stoltenbergut, i cili i ka dhënë NATO-s një lidership të jashtëzakonshëm gjatë dhjetë viteve të fundit dhe për të cilin gjithmonë kam pasur një admirim të madh”, ka shkruar ai.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq ka përshëndetur emërimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s.
“Urime mikut tim të dashur Mark Rutte për zgjedhjen e tij Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. I dashur Mark, kam besim se lidershipi dhe vizioni juaj jo vetëm që do të forcojnë Aleancën, por gjithashtu do të inicojnë një epokë të re sigurie dhe bashkëpunimi të zgjeruar. Mali i Zi është krenar që ju mbështet dhe pret të bashkëpunojë ngushtë me ju për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Falënderoj gjithashtu Jens Stoltenbergun për udhëheqjen e tij të suksesshme gjatë viteve të fundit sfiduese”, ka shkruar ai në rrjetin shoqëror X.
Edhe autoritetet në Kosovë shohin te Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh – nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë.
Vizitën e fundit në Kosovë Rutte e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, e takoi për herë të fundit Rutten në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër.
“Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, për rëndësinë e së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar ajo në platformën X.
(Kohapress/REL)