Albulena Haxhiu kryeparlamentare, Albin Kurti kryeministër

Kuvendi i Kosovës në mbledhjen konstituive, mbajtur të mërkurën në mbrëmje (11 shkurt 2026), ka zgjedhur kryetaren dhe pesë nënkryetarët, e pak orë pas saj në seancë të jashtëzakonshme edhe Qeverinë e re.
Kryeparlamentare u zgjodh Albulena Haxhiu e kryeministër Albin Kurti, të dy nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 fitoi 51 për qind të mbështetjes qytetare. Fuqia e numrave në Kuvend ua bëri të lehtë edhe njërit edhe tjetrit të sigurojnë nga 66 vota
Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota për, 44 kundër e 8 abstenime, ndërsa pesë nënkryetarët, për të cilët u votua në pako, u zgjodhën Ardian Gola (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Slavko Simiq (komuniteti serb) dhe Emilija Rexhepi (komunitetet e tjera pakicë).
Konstituimi i Kuvendit i hapi rrugë votimit të Qeverisë së re. Pas mandatimit të kandidatit të propozuar nga LVV-ja, Albin Kurti, u mbajt seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.
Për kabinetin e ri qeverisës të propozuar nga Kurti, i cili përbëhet nga gjithsej 19 ministri, 4 më shumë se në mandatin e kaluar, votuan 66 deputetë, ndërsa 49 deputetë ishin kundër. Abstenime nuk pati.
Në këtë mënyrë, Kosova u bë me institucione të reja pas gati një vit pa Kuvend funksional e me qeveri në detyrë, dhe afro dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së organeve drejtuese të tij, si dhe zgjedhjes së Qeverisë së re “Kurti 3”, Kosovën e pret një sfidë e re politike – zgjedhja e presidentit të ri të vendit, që duhet të votohet deri më 4 mars 2026.
Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur synimin që të jetë në krye të shtetit edhe për një mandat pesëvjeçar. Megjithëkëtë, mbetet e paqartë nëse ajo do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme.
Në bazë të Kushtetutës, presidenti i ri zgjidhet nëpërmjet votimit të fshehtë dhe kushdo që dëshiron të garojë duhet t’i mbledhë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve. Udhëheqësi i shtetit zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, por nëse në këto dy votime nuk ka numra të mjaftueshëm, atëherë në rundin e tretë zgjidhet ai kandidat që merr shumicën e votave të deputetëve, me kushtin që në Kuvend të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Në rast se dështon zgjedhja e presidentit, me automatizëm shpallen zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat