Prishtinë – Në Kosovë të hënën ka filluar formimi i institucioneve të reja shtetërore, të dala nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt.
Në seancën konstituive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje! është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit. Për zgjedhjen e tij kanë votuar 69 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje!, partive të komuniteteve joshumicë dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, kundër kanë votuar 33 deputetë të opozitës, ndërsa nuk ka pasur asnjë të përmbajtur.
Deputetët kanë zgjedhur po ashtu edhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje! ka propozuar Saranda Bogujevcin, Partia Demokratike e Kosovës Bedri Hamzën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shalën, të cilët janë votuar me 107 vota për dhe 6 kundër, pa asnjë abstenim. Kurse Lista Serbe për nënkryetar ka propozuar Sllavko Simiqin, partitë tjera të komuniteteve joshumicë propozuan Bekim Arifin, të cilët janë zgjedhur me 91 vota për, 6 kundër dhe 10 abstenime.
Po të njëjtën ditë, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Albin Kurti. Qeveria e re mori besimin e 67 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe komuniteteve joshumicë, kurse kundër votuan 30 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo është hera e dytë që Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës pasi që herën e parë, vitin e kaluar, u shkarkua vetëm pas 50 ditësh në krye të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e re e Kosovës ka 15 ministri dhe tre zëvëndëskryeministra: zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi; zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi.
Në ekspozenë e paraqitur para deputetëve, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se prioritet i qeverisë së tij është ekonomia dhe drejtësia, duke u fokusuar në ditët e para të qeverisjes me pandeminë që e ka kapluar vendin me rritje të madhe të numrit të të infektuarve.
Me një ceremoni shtetërore, kryeministri i deritashëm i Kosovës, Avdullah Hoti, ia ka dorëzuar të martën detyrën, kryeministrit të ri, Albin Kurti.
Sfidë për Kuvendin e ri të sapo konstituuar është tani zgjedhja e presidentit të Kosovës. Kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje! për këtë post është Vjollca Osmani. Por nuk dihet nëse ajo do të arrijë të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur Presidente e Kosovës.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse kjo dështon në dy raunde, organizohet votimi i tretë ku pretendenti për president duhet të ketë së paku 61 vota, por gjithsesi duhet të jenë në sallë 80 deputetë nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje!, pjesë e listës zgjedhore të së cilës ishte edhe Lëvizja “Guxo” e Vjosa Osmanit”, fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. 20 vende të garantuara në Kuvend u takojnë pakicave, 10 nga to për serbët e Kosovës, kurse 10 vendet tjera për komunitetet tjera joshumicë.
(Kohapress)
