Tuz – Komuna e Tuzit, të mërkurën mbrëma (20 dhjetor 2023) bëri hapjen e manifestimit disaditor, tashmë tradicional “Pazari i dimrit” në Tuz, aktivitet i cili u zhvillua në sheshin e ri të qytetit, në prani të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, e të qytetarëve të shumtë.
Kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, në natën e parë të hapjes së këtij manifestimi, i shoqëruar nga fëmijët e shumtë, bëri ndezjen e dritave të atmosferës së fundvitit në pazarin e dimrit.
Në natën e parë të “Pazarit të dimrit” të pranishmit i argëtoi këngëtari Malësori.
Ndërkaq, çdo natë, deri më datë 2 janar, për vizitorët do të ketë aktivitete të ndryshme argëtuese për të gjitha moshat, si: panaire të ushqimeve tradicionale dhe punimeve artizanale, argëtim për fëmijë, mbrëmja e kuzhinës meksikane, mbrëmja e magjisë së mjaltit, (panair i prodhuesve të mjaltit nga Malësia), koncerti i Krishtlindjes me këngëtarë të mëdhenj të estradës shqiptare, nga Kosova dhe Shqipëria, dhe aktivitete të tjera të larmishme, afariste dhe argëtuese.
Vizitorëve në ‘Pazarin e dimrit’, u jepet mundësia që të shijojnë ushqime dhe pije të ndryshme nga shtëpizat e vendosura nga druri, te sheshi i ri që ndodhet te IP Gjimnazi “25 Maji” në Tuz.
t. u.