Ahengu shkodran çel siparin

Në skenë janë ngjitur artistë të moshave të ndryshme, që nga mosha 10-vjeçare deri në moshën 80-vjeçare, të cilët përmes interpretimit të tyre kanë përçuar te publiku disa nga vlerat e këngës shkodrane dhe shumë emocione

Ulqin – Me koncertin “Ahengu shkodran” dhe ekspozitën e piktorit Xhevdet Spahija, të martën e kaluar (30 korrik 2024) ka filluar programi i aktiviteteve kulturore në kuadër të edicionit të 36-të të Festivalit “Skena Verore”, i cili organizohet nga Qendra e Kulturës – Ulqin, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike – Ulqin dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi.
Në fjalën e hapjes, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se ku ka më bukur që këtë edicion ta hapim me Ahengun shkodran nga djepi i kulturës shqiptare.
Ai ka thënë se “bashkëpunimi me fqinjtë tanë si Shkodra dhe Tivari, me ministritë e Kulturës së Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës do të dëshmojë shumë qëllimin tonë të mirë”.
Nimanbegu ka folur edhe për shkaqet e mosmbajtjes së Festivalit “Skena Verore” vitin e kaluar, për ç’gjë ka kritikuar politikën.
“Mungesa e organizimit të vitit 2023 të Skenës Verore në Ulqin është vetëm një dëshmi kur lojërat politike negativisht ndikojnë në jetën kulturore. Favorizimi i artistëve të preferuar nga politika, siç u dëshmua, dëshmon që tentonin ta privatizojnë edhe kulturën”, është shprehur ai, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë gjatë mandatit të tij ku secili artist dhe aktivist kulturor do të ketë mundësi të japë kontributin e vet në jetën kulturore, e cila do të rritet gradualisht me aktivitete gjatë gjithë vitit.
Më pas nën drejtimin e drejtorit organizativ Dritan Mlika, përndryshe drejtor i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, drejtuesit muzikor Ilir Zoga dhe drejtuesit artistik Bardhyl Hysa, në skenë janë ngjitur artistë të moshave të ndryshme, që nga mosha 10-vjeçare deri në moshën 80-vjeçare, përfshirë këngëtaren e njohur Mukadez Çanga dhe grupin “Karajfilat”, solistët Leonard Guga, Sevina Kurti, Ajdis Hasani, Rigersa Loka, Klinsman Llazani, Klaisa Kapeta, Arseldi Muça, Martina Serreçi, Gentjana Tafili, Glerdit Turmetaj, Orjeta Kelaj, Leonora Luca, Savjana Vjerdha, Laorjan Ejlli e deri te këngëtarja e re e talentuar Ea Zoga. Përmes interpretimit të tyre, ata kanë përçuar te publiku disa nga vlerat e këngës shkodrane dhe shumë emocione.
Të premten mbrëma (2 gusht 2024), në kuadër të Skenës Verore është shfaqur koncerti “Mes dy Kalave (Ulqin – Krujë), me pjesëmarrjen e grupeve muzikore “Vëllezërit Baruni” dhe solistit Fabion Baruni nga Kruja, “Acoustic Band” nga Ulqini dhe mysafirit special tenorit Kastriot Tusha, i cili është organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi. Ndërsa të shtunën mbrëma (3 gusht 2024), po në kuadër të programit të Skenës Verore është mbajtur mbrëmja letrare kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare (në kuadër të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, e cila organizohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”).
Nesër mbrëma (e premte, 9 gusht 2024) do të shfaqet pjesa “Stand up for liberalization” me aktorët Bashkim Alaj dhe Avni Shkodra, kurse të hënën mbrëma (12 gusht 2024) Teatri i Gjilanit do të shfaqë komedinë “E vërteta”.
Përgjatë një muaji në programin e edicionit të sivjetshëm të Skenës Verore do të shfaqen aktivitete të ndryshme kulturore, që do të përmbyllen me koncertin e artistes së mirënjohur të muzikës xhaz Elina Duni.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat